Fuqia e fjalës së mirë dhe të bukur

Fuqia e fjalës së mirë dhe të bukur

Prof  Ibrahim Idrizi.

Falënderimet dhe lavdë­ri­met qofshin për All-ahun xh.sh. Mirëbërsin e përgjithshëm, i Cili krijoi njeriun, i Cili ia mësoi  Kur’anin , dhe i Cili njeriun e mësoi ashtu që të flasë qartë dhe bukur. Paqja dhe shpëtimi le të jetë mbi njeriun më të mirë, Muhammedin s.a.v.s , i cili me fjalët e veta të bukura zemrat e besimtarëve i përvetësoi dhe i cili ishte shembulli më i mirë në të folurit dhe në sjellje me njerëzit e tjerë.

Të nderuar lexues, pasi që gjendemi në këtë muaj të bekuar të Ramazanit është mërë  të flasim për begatinë e fjalës dhe të folurit bukur, pastaj për nevojën e njeriut që të jetë i kujdesshëm dhe të mbajë llogari se si do t`i shfrytëzojë këto begati. Njeriu është qenia, të cilën Allahu xh.sh e dalloi me mendje dhe të folur. Të folurit ia dhuroi si mjet përmes të cilit do të shprehë mendimin e vet. Ashtu siç nuk ka të folur pa mendim gjithashtu nuk ka as mendim pa të folur. Me të folurit ne tregojmë atë çka mendojmë dhe atë çka e kemi në zemrat tona. Të folurit asnjëherë nuk është vetëm mjet për të shprehur diçka për të cilën flitet, por është edhe mjet për të folur mbi vetveten, dhe se ai (të folurit) paraqitet si refleksion mbi veten. Fuqia e fjalës i ka rrënjët në fuqinë e personit. Kur personi flet, ajo atëherë paraqitet nga jashtë. Kështu që fjala e mbretit është me e fuqishme nga fjala e njeriut të rëndomtë. Në këtë kuptim është edhe fjala e vjetër ku thuhet: “ Fjalët duhet matur, të peshohen, e jo te numërohen”.

Duke marrë parasysh se fjala përfshinë të vërtetën, e cila vazhdon edhe në të ardhmen, efekti i fjalës së thënë mund që ta mbijetojë atë i cili e ka thënë. Prandaj, besimtarë të nderuar, për të gjitha fjalët e folura qofshin ato të rënda apo të lehta duhet patjetër  të jemi të kujdesshëm dhe të mbajmë llogari, sepse me ato fjalë që i themi mund ta dëmtojmë ndonjërin dhe t`i sjellim varë aq të rëndë saqë s`mund t’ia sjellë as vara e bërë nga arma. Fjala që është thënë bëhet e vërtetë dhe realitet e cila nuk mund të revokohet. Mund të thuhet fjalë tjetër e cila në një mënyrë do ta zbutë të mëparshmen, por assesi nuk mund ta fshehë fjalën që është thënë më parë. Për atë, varat nga arma mund të shërohen, ndërsa vara që është bërë nga fjalët e këqija dhe ofenduese asnjëherë nuk shërohet.
Pikërisht  për shkak të rëndësisë dhe peshës që ka fjala e folur, Pejgamberi a.s. në një hadish thotë: “ Kush beson në All-llahun dhe Ditën e gjykimit  le të flasë atë që  është e mirë ose le të heshtë”. ( Muttefekun alejhi)

Dijetarët që merren me etikën islame kujdes të madh i kushtojnë lëndës së bisedës ashtu edhe mënyrës së të shprehurit. Porosia e Pejgamberit të Allahut xh.sh. është që të flasim atë çka është e mirë,  që në mënyrë të bukur  ta paraqesim qëndrimin tonë, ndërsa  që në kohët e mëparshme Beni Israilët  kanë qenë të urdhëruar, për çka flet Kur`ani i Ndershëm ku thotë : “Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira..” ( El-Bekare,83 )

Më duket se asnjëherë nuk ka qenë më aktuale dhe më e nevojshme për ne se sa sot, që bartim një numër të madh të problemeve siç janë : problemet familjare, shoqërore, problemet e punës, ato ekzistenciale, raportet me njerëzit e tjerë, etj. Gjithashtu ne jemi shumë të nevojshëm për fjalë të mira dhe të bukura, qoftë ajo si bisedë,  si këshillë, ose bile si ngushëllim në situata të vështira.

Pikërisht, besimtarë të nderuar, përmes fjalës së bukur dhe të mirë  Muhammedi s.a.v., me  fjalët e tija të zgjedhura, precize, të vërteta dhe të mira, përfitoi zemrat e njerëzëve. Thëniet e tija, hadiset e tija , kanë mbijetuar vite dhe shekuj edhe më tej vazhdojnë, krahas fjalës më të bukur dhe më të përsosur të All-llahut xh.sh. dhe do të zgjatë sa të jetë jeta mbi dheun e kësaj bote . Në Kur`an thuhet : “ E ti robërve të Mi thuaju: Le ta thonë atë që është më e mira…( El-Isra,53)
Ne jemi  të shqetësuar nëse ndodh ndonjë disharmoni në natyrë, disa dukuri të papritura natyrore, termete,vërshime, për të cilat ne nuk kemi kurrfarë ndikimi, mirëpo në të njëjtën kohë nuk jemi të shqetësuar për atë që ne jemi shkaktar i disharmonisë në familjet tona, te fqinjët, në vendin e punës , në kontakte me të tjerët, dhe ai shqetësim dhe çrregullim  pikërisht vjen si pasojë e përdorimit jo të rregullt të fjalëve dhe thënieve tona, apo keqpërdorimit të fjalëve dhe të folurit tonë. Vërtetë, fjala e mirë, e bukur dhe e përshtatshme forcon unitetin dhe dashurinë në mes miqësisë dhe shoqërisë në njërën anë, dhe në anën tjetër, me siguri e pengon shejtanin e mallkuar  që në përpjekjet e tij të nxitë dh të ngjallë përçarje dhe armiqësi ndër të tjerët dhe në këtë mënyrë të prishë marrëdhëniet në mes njerëzve.

Prandaj Pejgamberi s.a.v. thotë : “ Ju asnjëherë nuk do të mund t’i përvetësoni njerëzit me pasurinë tuaj. Prandaj përvetësoni ata me fytyrën tuaj të ndriçuar dhe sjellje të mirë .”( El-Bezari)

Përveç thënieve të Pejngamberit s.a.v. që ne të flasin vetëm atë që është mirë ose të heshtim, gjithashtu edhe Kur`ani Kerimi na porosit që të largohemi nga fjalët e padobishme dhe të kota, të largohemi nga kotësitë të cilat qarkullojnë dhe neve sot na ofrohen në thënie dhe tregime të ndrytshme, në gazeta dhe lajme si edhe nëpër kuvende të ndryshme dhe të cilat ( fjalë, tregime) i kënaqin veshët tonë. Megjithkëtë kur All-llahu xh.xh. i përshkruan besimtarët e drejtë thotë se ata pikërisht janë ata që largohen nga këto gjëra: “ Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, dh eta të cilët i shmangën të kotës (fjalë a punë), dhe ata që rregullisht e japin zeqatin…” ( El-Mu`minunë )

Dijetarët muslimanë që merren me etikën dhe sjelljen islame  gjithashtu porositin  për mënyrën që fjalët dhe të folurit tonë të ruhen dhe të mbrohen prej fjalëve të pamenduara dhe të pakëndshme. Pra, e nevojshme është, siç thonë këto dijetarë, ndalimi  i polemikave dhe diskutimeve të kota, pa marrë parasysh se a është njeriu në të drejtë apo jo.  Njeriu shpeshherë hyn në diskutime duke paraqitur argumente në favorin e thënieve të tija dhe i udhëhequr me pasionin që qëndrimi i tij të jetë i pranuar dhe shpesh ndodhë që e vërteta të vehet në plan të dytë, ndërsa biseda-polemika vetëm për vete të bëhet qëllim. Kjo edhe neve , të nderuar besimtarë, na ndodh sidomos në kohën e sotme kur shpeshherë jemi pjesëmarrës, e ndonjëherë edhe lëndë e diskutimeve dhe bisedave të cilat shpesh dinë të kalojnë në zënka në mes nesh.

Një ditë Muhamedi s.a.v.  i takoi shokët-sahabët e tij në një diskutim-polemikë të ashpër e cila kaloi në zënkë, megjithkëtë me hadis Pejgamberi s.a.v. ua dha gjykimin e tij për këtë: “ Ngadalë, o ummeti i Muhamedit! Lini zënkat, për arsye se në të ka shumë pak të mirë, dhe për atë se besimtari nuk grindet!  Lëni grindjet, sepse juve ju mjafton edhe pa këtë mëkati! Largohuni nga grindjet, sepse unë nuk do të jem shefatxhiu juaj në Ditën e Gjykimit për atë që merr pjesë në grindje! Lëshoni grindjet, unë ia garantoj tre pallate në Xhennet atij që e lë grindjen, bile nëse është në të drejtë…( Taberani )

Mirëpo, ne këtu duhet të bëjmë dallim në mes dialogut dhe polemikës së kotë. Biseda, dialogu konstruktiv, në mes njerëzve i pasuron mendjet dhe zemrat e tyre dhe shpeshherë në bisedë me personin i cili në mënyrë të kujdesshme dhe të bukur e paraqet mendimin e vet, ndjenjat tona mbeten të kënaqura, madje edhe nëse personi në fjalë gjatë bisedës na ka bërë neve kritikë, na ka treguar për gabimet apo na ka dhënë këshilla, por biseda e tillë e ka plotësuar qëllimin, sepse edhe ato këshilla dhe kritika do të jenë të pranuara dhe të mirëseardhura për ne se sa këshillat dhe kritikat e personit që i bën në mënyrë të ashpër dhe të pakujdesshme, sepse një bisedë e tillë nuk do të depërtojë në veshët dhe zemrat e personave të tjerë edhe po qe se ky person ka qëllime të mira dhe fisnike.
Sa është me rëndësi mënyra e sjelljes dhe komunikimit, si edhe pranimi i gabimeve, pranimi se ndonjërin e kemi ofenduar, gjithashtu është me rëndësi që të kërkojmë falje për ofendimet dhe gabimet e bëra  dhe për të cilën në mënyrë të qartë flet Kur`ani i Ndershëm ku thotë : “ Një fjalë e mirë dhe një lehtësim është më e dobishme se një lëmoshë që përcillet me të keqe. Allahu nuk ka nevojë për askënd, është i butë.” (El-Bekare,263)

Gjithashtu  All-llahu xh.sh. në Librin e Tij na urdhëron që me pjesëtarët e religjioneve tjera të bisedojmë në mënyrën më të mirë, të bëjmë dialog  në suaza dhe në frymën e tolerancës, pa fjalë  të ashpra dhe ofenduese, përveç se nëse bëhet fjalë për ndonjë përdhunues dhe kriminel të cilin duhet penguar të mos bëjë dëm dhe zullum: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetë ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë…” ( El-Ankebutë. 46.)
Myslimani në veçanti duhet të jetë i kujdesshëm që me fjalët dhe veprimet e veta të mos e ofendojë dhe lëndojë muslimanin dhe këtë më së miri do ta kuptojmë nga përgjigjja e Muhammedit s.a.v.s., që ua ka dhënë shokëve-sahabëve të tij në pyetjen drejtuar të Dërguari të Allahut! “ Islami i kujt është më i mirë?” Pejgamberi u është përgjigjur: ”I atij prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të mbrojtur muslimanët e tjerë.” (El_Buhariu)

Të nderuar besimtarë, ligjërata-nasihati për fjalën e mirë dhe të bukur nuk do të ishte e kompletuar nëse nuk do të shfrytëzonim nga rasti që të tregojmë edhe diçka për gjërat e shëmtuara, veprimet , dukuritë dhe  ndodhitë në rrethin tonë ku jetojmë, por këtë herë duke e bërë atë me fjalë të zgjedhura, të matura dhe në mënyrën më të mirë.

Prandaj, për shkak të dhuratës së begatshme të fjalës dhe të folurit që na është dhënë, për shkak të qenësisë dhe madhësisë të të folurit, për shkak të urdhrit që vetëm fjalë të mira të flasim, për shkak të porosisë që të heshtim kur s`kemi diçka të dobishme të themi, për shkak të rëndësisë që ta lëshojmë polemikën dhe bisedat e kota, për shkak të këshillës që njerëzit t’i ofrojmë me këshilla dhe sjellje të mira, për shkak të rëndësisë së të kërkuarit falje pas ofendimeve të bëra, për shkak të imperativit që me pjesëtarët e Librit të sillemi në mënyrën më të mirë dhe për shkak të premtimit të besimtarëve, të cilët u shmangen fjalëve të kota se ata  do ta arrijnë atë që e dëshirojnë, për arsye të gjithë asaj që e thamë të mbajmë llogari dhe të kujdesemi për fjalët dhe bisedën tonë dhe të afrohemi me njëri-tjetrin me fjalë të mira dhe të bukura.

Dhe ta përfundojmë këtë hutbe me fjalët e Allahut xh.sh. dhe këto të jenë pjesë e përditshmërisë tonë : “Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira… Ndërsa me vëllezërit tuaj në fe të keni sjellje më të mirë duke i kujtuar fjalët e Pejngamberit s.a.v. “ Buzëqeshja në fytyrë të vëllait tënd është sadaka .” Amin!