Tema

Të urdhëruarit në të mirë  dhe të ndaluarit nga e keqja

 

– Falenderimet dhe lavdërimet qofshin për All-llahun xh.sh. Dëshmoj se nuk  ka  zot  tjetër përveç All-llahut  të Vetëm i  cili nuk ka shok në adhurim dhe dëshmoj se Muhammedi a.s.  është  rob dhe Pejgamber i Tij, ndërsa  bekimet e All-llahut qofshin mbi të, familjen e tij, as’habët (shokët) e tij dhe të gjithë ata që  ndjekin  rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar vllezër besimtarë, këshillohuni në mes veti, urdhëroni në të mirë, e ndaloni nga e keqja! Ndihmojeni të humburin! Të urdhërosh në të mirë dhe të pengosh nga e keqja është një obligim jashtzakonisht i rëndësishëm në Islam,  kjo është mbrojtje që mbron nga devijimet dhe të këqijat e ndryshme, mbrojtje nga mëkatet dhe sprovat, i mbron antarët e fesë islame nga ndikimet e shejtanit  dhe idetë e përkulsëve të tij.

Vlerat e muslimanëve  mbrohen, rregullat fetare kryhen-realizohen vetëm nëse muslimanët e kryejnë detyrën e të urdhëruarit në të mirë dhe të penguarit-ndaluarit  nga e keqja.

Ummeti islam  do të jetë në rrugën e të mirës vetëm nëse i përmbahet  këtij urdhëri: “Ju jeni populli  më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni në të mire të ndaloni nga veprat e këqija, dhe të besoni Allahun…”( Ali imran: 110)

Ky është obligim  i çdo personi  në përputhshmëri me mundësitë dhe aftësitë e tij.

 

Mirëpo,  dallimi është i madh rreth kësaj pyetje kur bëhet fjalë për besimtarët ( mu’minët) dhe hipokritët (munafikët).

Për këtë dallim All-llahu xh.sh., në Kur’an thotë: ”Hipokritët  dhe hipokritet janë si njëri tjetri, urdhërojnë për të keqen e ndalojnë nga e mira dhe shtrëngojnë duart e tyre. Harruan All-llahun , prandaj Ai i harroi .  Nuk ka dyshim, hipokritët janë ato të prishurit.” (Et-Taube :67). Ndërsa,  për besimtarët thuhet  ”Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për  njeri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja,  e falin namazin dhe japin zeqatin…” (Et-Taube, 71).                                Për këtë shkak Imam Gazaliu ka thënë:”Kush e lë pas dore të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja nuk konsiderohet nga besimtarët.

Po aq sa të jetë në nivel të lartë  aktiviteti i të urdhëruarit në të mirë po aq pozita e besimtarëve është më e fuqishme, e pozita e pabesimtarëve më e dobët, besimtarët janë të fortë dhe  krenarë e mëkatarët dhe të këqijtë të poshtëruar dhe të dobët.

Sufjan Eth-Thauri ka thënë: Nëse urdhëron në të mirë, atëherë e ke forcuar vëllain tënd, e nëse e ke ndaluar nga e keqja atëherë e ke kundershtuar hipokritin-munafikun.

Kur urdhërohet në të mirë atëherë qartë dallohet  sunneti i Pejgamberit nga ajo që nuk është sunnet i tij, dihet se çka është hallall dhe çka haram, njerëzit  e kuptojnë se çka është ajo që është obligim dhe çka është ajo që është e preferuar, e lejuar dhe e ndaluar..

Në ambient të këtillë e mira veprohet dhe është e dashur, e veprat të këqia largohen dhe bëhen të urrejtura.

Është më se vërtetë se kur të lihet pas dore të urdhëruarit në të mirë dhe ndaluarit nga e keqja humbë mbrojta, shkatërrohet mburoja me të cilën mbrohet Islami, vlerat e tij atëherë devalvohen e në skenë dalin veprimet negative. Kjo ndodh atëherë kur gjenerata të tëra rriten dhe zhvillohen  në padituri, nuk e dallojnë qartë faktin se çka është e mirë dhe çka e keqe, dhe në këtë mënyrë janë përhapur shumë dukuri negative si p.sh.: lëshimi i namazit, amoraliteti, kamata, alkooli dhe shumë devijime te ngjashme me këto. Atëherë do të jetë shumë rëndë për të dalluar besimtarët e sinqertë nga të prishurit, injorantët dhe mëkatarët. Ummeti islam dhe bashkësia e muslimanëve është në humbje të madhe nëse individëve brenda saj u lejohet të jetojnë si të duan, t`i kalojnë kufijt e All-llahut duke jetuar jetë amorale, duke sulmuar nderin dhe auturitetin e të tjerëve, duke bërë mëkate (gjunahe) të pakontrolluara, etj.

Përhapja e mëkateve, shkakton humbjen e dritës së zemrës, mbulohet shkëlqimi i fesë së vërtetë, paraqitet çregullimi dhe anarkia, për të cilët dënimi i Allahut bëhet meritë. Kur veprimet e këqia gjithëmonë janë në skenë dalëngadalë humb në zemrën e njeriut ndjenja e kundërshtimit dhe mospajtimit me të njejtën, dhe kjo në ndonjë mënyrë në vetëdije bëhet dukuri normale sikurse  të mos jetë mëkat.Është dukuri jashtëzakonisht e rezikshme kur zemra nuk e kundërshton mëkatin dhe kur ajo bëhet imun në veprimet dhe sjelljet e shëmtuara-negative.

Pra,  besimtarë të nderuar, detyrë e çdo muslimani dhe muslimaneje është që në përputhshmëri me mundësitë e veta të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Veçanërisht duhet të jemi të kujdeshshëm që kjo urdhëresë të zbatohet ndaj familjes për të cilën dhe jemi më tepër pëgjegjës. Intelekualët dhe personat e dijes kanë për obligim që këtë publikisht tua bëjnë me dije besimtarëve, tua shpjegojnë dhe me urtësi t’iu tregojnë duke argumentuar që e mira të mbizotërojë të keqen.

Disa do të mendojnë se nuk kanë personalitete të kompletuara dhe me këtë për vetveten mendojnë se nuk janë kompetentë që të jenë të angazhuar në këtë fushë. Dijetarët mendojnë se nuk është kusht që personi të jetë i kompletuar që të mund të  urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, edhe pse gjatë kësaj veprimtarie natyrisht duhet që ai gjithëmonë ta ndërtojë vetveten, dhe ta pasurojë me dituri.

Për këtë qëndrim gjejmë argument në ajetin kur’anor, i cili flet për pasardhësit e Beni israilëve, ku All-llahu thotë: ”Ata ishin që nuk ndlonin njeri-tjetërin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuara” (El-Maide:79). Pra, Beni israilët ishin pjesëmarrës në veprimet mëkatare, por prapseprapë ishin të qortuar për ate se nuk i kishin ndaluar të tjerët nga të njëjtat veprime. Pejgamberi a.s. thotë:” Allahu do ta ndihmojë këtë  fe edhe me mëkatarin”(Buhariu, Muslimi).

Ai i cili merret me aktivitetin e të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja duhet të jetë i butë dhe zemërgjerë. Nëse dëgjon diçka çka nuk të pëlqen nuk duhet të hidhërohesh, por mëkatarëve duhet t`iu afrohet këshilla më miqësi, mëshirë.Në këto rrethana ai duhet të ketë parasysh se si All-llahu xh.sh e ka nderuar me ate që të jetë prej atyre që e ka shpëtuar nga kjo gjendje.Ne mëkatarin nuk duhet shikuar me mendjemadhësi, poshtërim, por me durim të durojë provokimet e ndryshme dhe sprovat përmes të cilave domosdoshëm ti kalojë përderisa përpiqet që tek ata të ndikojë.

Tek All-llahu duhet të mbështetet dhe nga Ai ndihmën dhe shpërblimin ta kërkojë, dhe të presë, sepse All-llahu është mbështetës i mjaftueshëm.

Në parim duhet mbuluar turpin e muslimanit, nëse muslimani ka bërë mëkat, këtë duhet ta mbulojmë, e duhet të mbulohet edhe turpi i të tjerëve sipas fjalëve të Pejgamberit s.a.v.s.,:”Kush e mbulon turpin e muslimanit All-llahu do ta mbulojë  të tijin në këtë dhe në botën tjetër” (Muslimi). Pejgamberi s.a.v.s., i ka thënë një njeriu që ia kishte sjellë një person që kishte bërë mëkate: ”Më mirë do të ishte ta kishe mbuluar me rrobet e tua” (Ebu Davudi dhe Nesaiu). Kjo ka të bëjë me ata mëkatarë (gjunahqarë) të cilët nuk janë të njohur me sjelljen e tyre të keqe, të cilët nuk i shqetësojnë të tjerët dhe nuk bëjnë veprime kriminale publike.

Po qe se lihet pas dore të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja atëherë kjo do të ketë pasoja shumë negative; do të shtrembërohen dhe do të lëshohen parimet e sheriatit, do të përhapet padituria dhe rruga e gabuar, do të lajmërohet çrregullimi dhe amoraliteti ashtu që do të shkatërrohen muslimanët. Me një sjellje të tillë ai do të meritojë dënimin e All-llahut, e dënimi i All-llahut është i rëndë.

Ebu Bekri r.a. transmeton se Pejgamberi a.s.v.s. ka thënë: “Në atë popull që do të paraqiten mëkatet, të cilat nuk i ndalojnë, kurse kanë mundësi që atë ta bëjnë, vetëm sa që All-llahu nuk i ka dënuar” (Ebu Davudi).

Xhabir b. Abdullahu thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s.v.s. duke thënë:”

Përderisa njeriu bën mëkat dhe atë, për atë, nuk e pengojnë bashkëpopulli i tij, e kanë mundësi që ta bëjnë atë, All-llahu ka ti dënojë para se t’u vijë vdekja ( Ebu Davud).

Gjithashtu Pejgamberi s.a.v.s. thotë:”Pasha Atë në dorën e të cilit është jeta ime ose do të urdhëroni në të mire dhe të ndaloni nga e keqja ose All-llahu do t’ju dërgojë dënim, dhe ju do ta lutni Atë, e Ai nuk do t’i përgjigjet lutjes suaj” (Tirmidhiu nga Hudhejfe)

Të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja ta ruan furnizimin dhe ta vazhdon jetën. All-llahu xh.sh. i ka mallkuar priftërinjët hebrenjë dhe të krishterë për arsye se ata  e lëshuan urdhëresën në të mirë dhe ndalesën nga e keqja dhe më pas  mu për atë All-llahu xh.sh. i ka dënuar.

Në një  formë të jashtëzakonshme  në  hadithin të cilin e transmeton Imam Buhariu, Pejgamberi s.a.v.s. e ka përshkruar bashkësinë njerëzore dhe obligimin e të penguarit të atyre të cilët bëjnë ngatërrime ashtu që t’i largohen shkatërrimit të përbashkët, dhe thotë:

”Shembulli i atij që i ruan kufijtë e All-llahut dhe atij që i shkelë ato është sikur shembulli i njerëzve që janë  vendosur në anije: Te të parët të cilët janë vendosur në katin e sipërm të anijes dhe te të tjerët të cilët janë vendosur në pjesën e poshtme.Ata që janë në pjesën e poshtme kur kërkojnë që të pinë ujë shkojnë tek ata që janë mbi ata, që pastaj t’ju thonë: na lejoni neve për nevojat tona ta shpojmë një birë, të mos i shqetësojmë ata që janë mbi ne. Nëse i lejojnë ta bëjnë atë që e kanë për qëllim, të gjithë do të bëhen viktimë e nëse i pengojnë, do të shpëtojnë veten dhe të tjerët”

Ky është nje shembull i qartë me të cilin tregohet se bashkësia e muslimanëve duhet të jetë ngusht e lidhur, në të cilën aktiviteti i të urdhëruarit në të mirë dhe të ndalurit nga e keqja do të jetë në kotinuitet, në të cilën të gjithë antarët e ummetit në mes veti do të ndihmohen në ruajtjen e kufijve të All-llahut xh.sh. Në një  bashkësi të këtillë sundon paqa dhe siguria, ruhet morali fortë. Kjo bashkësi dallon plotësisht prej bashkësive tjera ku vepron kush çka dëshiron, në të cilën nuk ka përkujdesje për kufijtë morale ”A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshët, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta” (El-Furkan,44).

Të nderuar besimtarë, të urdhëruarit në të mire dhe ndaluarit nga e keqja është obligim fetar i urdhëruar nga Zoti i të gjithë botëve për të mirën e njerëzisë. Nëse ky obligim lëshohet do të këputet faktori më i fuqishëm i përmisimit dhe përforcimit të shoqërisë, njerëzit do të bëhen imun ndaj dukurive negative ashtu që prindëri nuk do t’i kritikojnë veprimet negative të fëmijve të tij, fqinji nuk do ta kritikojë fëqinjin, i afërmi të afërmin e vet e as miku mikun e vet, nuk do të drejtohen në rrugën e drejtë dhe mirësitë e kësaj dhe botës tjetër. Po qe se humb kjo karakteristikë e fesë në mesin e antarëve të shoqërisë, një shoqëri e tillë do të jetë e gjykuar në shkatërrim- falimentim.

Prandaj, besimtarë të nderuar, urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja derisa keni mundësi, All-llahu juve do t’ju shpërblejë, do të jeni në partinë e Tij në mesin e atyre që i janë përgjigjur urdhrit të Tij dhe i cili i ka lëvduar në Librin Fisnik: ”Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mire dhe të ndaloni nga veprat e  keqja, dhe të besoni All-llahun xh.sh.”(Ali Imaran,110).

 

 

Të gjithë bashkërisht i bëjmë lutje All-llahut xh.sh. që ta forcojë imanin tonë, t`i pranojë ibadetet tona, të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja të jetë përditëshmëri e jona dhe të jemi besimtarë te vërtetë-të drejtë (Amin)..

 

 

 

                                                                             Përgaditi:

                                                                         Prof.Ibrahim idrizi