Rreth Medresesë
Shkolla e Mesme Islame "Medreseja Isa Beu" është shkollë e orientuar profesionale, e vetmja e këtij lloji në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shkolla qendrore ndodhet në fshatin Kondovë, komuna e Sarajit, në pjesën perëndimore të Shkupit, dhe vepron si për djem ashtu edhe për vajza, me paralele të shtrira në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Shtip.
Historiku
"Medreseja Isa Beu" vazhdon traditën e medresesë së dikurshme me të njëjtin emër, të themeluar në shekullin XV. Ajo mban emrin e themeluesit të saj, Isa Beut, i biri i Is'hak Beut, serhat muhafizit — mbrojtësit të njohur të Shkupit. Nga Vakëfnameja e Isa Beut mësojmë se përveç medresesë ai themeloi edhe bibliotekën dhe xhaminë që mbajnë edhe sot emrin e tij.
-
Shekulli XV
Themelimi i medresesë me ardhjen e osmanëve në këto troje. Në të kaluarën ajo përfaqësoi institucionin më të lartë arsimor në vend dhe njihej si shkolla më me famë në Rumeli.
-
1475
Ndërtohet Xhamia e Isa Beut, një nga xhamitë më të bukura të Shkupit.
-
1689
Ndërprerja e parë e punës, kur gjenerali austriak Pikolomini me ushtrinë e tij dogji Shkupin. Gërmadhat e mureve u ruajtën deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
-
1932 – 1936
Me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të kohës, medreseja rindërtohet. Në vitin 1936 krijohen kushtet për punë të rregullt, programi reformohet dhe shkolla fiton statusin e shkollës së mesme.
-
Pas Luftës së Dytë Botërore
Puna ndërpritet përsëri për një kohë të gjatë.
-
1979
Bashkësia Islame merr vendimin për rindërtimin e medresesë.
-
15 tetor 1984
Në objektin e ri në fshatin Kondovë fillon procesi edukativo-arsimor, me vitin shkollor 1984/85.
Paralelet
Kondovë
Shkolla qendrore, komuna e Sarajit
Shkup
Paralele e shtrirë për vajza
Tetovë
Paralele e shtrirë për vajza, që nga viti 2004/05
Gostivar
Paralele e shtrirë për vajza
Shtip
Paralele e shtrirë për djem
Kampusi
Medreseja me ndërtesat përreth, pa llogaritur paralelet e shtrira, përfshin një sipërfaqe prej rreth 7.000 m². Kompleksi përbëhet nga godina shkollore, konvikti dhe kuzhina me restorantin. Në godinën e shkollës qendrore gjenden tetë mësojtore, dy kabinete gjuhësh, kabineti i informatikës, mesxhidi, biblioteka dhe zyrat e administratës, ndërsa konvikti ka 53 dhoma me kapacitet për 214 nxënës.
Mësimi dhe stafi
Gjatë shkollimit katërvjeçar nxënësit ndjekin 30 lëndë. Si gjuhë amtare mësohen shqipja, maqedonishtja dhe turqishtja; arabishtja mësohet si gjuhë profesionale dhe anglishtja si gjuhë e huaj.
Plan-programin mësimor në të gjitha paralelet, duke përfshirë ato rajonale në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Shtip, e realizojnë 75 profesorë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 25 me kontratë në vepër dhe honorar — gjithsej 100 mësimdhënës. Krahas tyre, rreth 32 punonjës të personelit teknik përkujdesen për mirëmbajtjen e godinës së shkollës, konviktit dhe kuzhinës.
Medreseja në shifra
Të dhënat e regjistrimit i referohen vitit shkollor 2012/13; të dhënat kumulative i referohen periudhës 1984 – 2011/12.
Shkollimi është falas
Të gjitha shpenzimet i mbulon Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për një nxënës, shpenzimet vjetore llogariten në rreth 340 euro.