Prof. Blendi Imeri


Prof. Blendi Imeri ka lindur më 9 janar 1997 në qytetin Koprivnica të Kroacisë. Arsimin fillor e kreu në fshatin Bogovinë, ndërsa në vitin 2012 regjistrohet në Medresenë “Isa Beu” në Shkup, ku u dallua si nxënës shembullor dhe aktiv në jetën organizative të shkollës. Gjatë shkollimit të mesëm u zgjodh edhe kryetar i Shoqatës së Nxënësve. Medresenë e përfundoi me sukses në vitin 2016.

Po në të njëjtin vit vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, ku diplomoi në vitin 2020. Gjatë periudhës së studimeve ishte shumë aktiv në jetën akademike dhe shoqërore, duke marrë pjesë në konferenca ndërfetare, seminare, tribuna dhe aktivitete të ndryshme edukative e kulturore.

Angazhimi i tij studentor ishte i veçantë: për dy mandate shërbeu si sekretar i Parlamentit Studentor, ndërsa për një mandat ishte kryetar i Parlamentit Studentor. Gjithashtu, për tre vite me radhë përfaqësoi studentët në Këshillin Shkencor të Profesorëve.

Krahas studimeve akademike, Prof. Imeri ka qenë ligjërues dhe hatib në shumë xhami brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në edukimin fetar dhe ngritjen shpirtërore të të rinjve.

Në vitin 2021 u angazhua në Myftininë e Tetovës si përgjegjës i Sektorit të të Rinjve, ku kontribuoi në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve rinore, edukative dhe kulturore.

Që nga viti 2023 e deri më sot, punon në bibliotekën e Medresesë “Isa Beu” në Shkup si përgjegjës i bibliotekës, duke kontribuar në avancimin e veprimtarisë bibliotekare dhe promovimin e kulturës së leximit dhe hulumtimit shkencor ndër studentë.

Aktualisht është në prag të përfundimit të studimeve postdiplomike – magjistraturës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës. Tema e punimit të tij shkencor është:
“Korrespondenca e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së me botën arabe (1991–2025)”.

Prof. Bledni Imeri vazhdon të jetë aktiv në shumë aktivitete arsimore, kulturore dhe fetare në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.