Nxënëset e Medresesë Isa Beu – paralelja e vajzave në Shkup – sot, më 18.02.2026, në një atmosferë të ngrohtë e plot dritë shpirtërore, pritën me zemra të mbushura me gëzim muajin e bekuar të Ramazanit.
Nën hijen madhështore para Xhamisë së Murat Pashës , jehuan fjalë mirënjohjeje dhe lutjeje, ndërsa buzëqeshjet e nxënëseve pasqyronin emocionin e kësaj pritjeje të shumëpritur. Ishte një çast i veçantë, ku shpirtrat u bashkuan në falënderim dhe zemrat u mbushën me shpresë për mëshirën dhe begatitë që sjell ky muaj i shenjtë.
Kësaj atmosfere të bekuar iu bashkua edhe drejtori gjeneral, Dr. Islam Islami, sekretari i medresesë prof. Avni Neziri, profesorë, koordinatorja m-r Nurten Shehu Sakipi dhe stafi edukativo-arsimor, duke e bërë këtë pritje edhe më madhështore dhe domethënëse.
Me zemra të mbushura me dashuri, respekt dhe përulësi, nxënëset shprehën: “Mirë se na vjen, o Ramazan!”, duke e pritur këtë muaj si një mundësi për pastrim shpirtëror, përforcim të besimit dhe afrimitet më të madh me Krijuesin.
Qoftë ky Ramazan muaj i paqes, i mëshirës dhe i begative për të gjithë!


COMMENTS