Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe krenari, në ambientet e Pallatit të Kulturës në Tetovë, SHMI Medreseja “Isa Beu” – paralelja e vajzave, përcolli me dinjitet gjeneratën e XIX të maturanteve të saj.
Në këtë manifestim madhështor morën pjesë personalitete të shquara të jetës fetare dhe arsimore në vend, me në krye Reisul Ulemanë e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, shefi i kabinetit Muhamet Berzati, drejtues të sektorëve të Rijasetit të BFI-së, koordinatorët e paraleleve të Medresesë, prindër dhe shumë mysafirë, të mirëpritur nga koordinatori i kësaj paraleleje, Dr. Beqir Memeti.
Ceremonia u hap me lexim të Kur’anit Famëlartë nga hafizi i njohur Idriz Osmani.
Fjalët e mirëseardhjes nga koordinatori i paraleles, Dr. Beqir Memeti, si dhe përshëndetja e ngrohtë e drejtorit të përgjithshëm të Medresesë, Dr. Islam Islami, vlerësuan me respekt të thellë të gjithë ata që kontribuan në edukimin e këtyre maturanteve, me një falënderim të veçantë për prindërit që besuan amanetin e tyre në këtë institucion të dijes dhe edukimit.
Fjalë rasti pati edhe Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, i cili theksoi se për të arritur dijen, njeriu duhet të jetë i përkushtuar dhe punëtor i palodhur. Ai uroi që rruga e dijes dhe e moralit të jetë busull në jetën e maturanteve.
Po ashtu, fjalë rasti mbajti edhe Reisul Ulemaja, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili me përkushtim dhe dashuri përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi lart gjeneratën e re të vajzave të Medresesë. Ai theksoi se këto maturante janë shembull i gjallë i harmonisë mes dijes dhe moralit, duke e cilësuar dijen si imperativin e parë hyjnor, ndërsa moralin si thelbin që e bën njeriun të denjë. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje për drejtorin, koordinatorin, profesorët dhe të gjithë ata që kontribuojnë në edukimin e brezave të rinj me dije dhe moral.
Ceremonia u përmbyll me shpërndarjen e mirënjohjeve për maturantet – një moment i mbushur me emocione, krenari dhe shpresa të mëdha për të ardhmen.
Urime të përzemërta për të gjitha maturantet e gjeneratës së XIX të SHAM Medreseja “Isa Beu” – paralelja e vajzave në Tetovë!
Shëndet, suksese dhe dritë në rrugën e dijes dhe të jetës!


COMMENTS