DITË E HAPUR NË SHAM “MEDRESEJA ISA BEU” – PARALELJA E VAJZAVE, GOSTIVAR ARSIM MODERN ME VLERA FETARE DHE KOMBËTARE

DITË E HAPUR NË SHAM “MEDRESEJA ISA BEU” – PARALELJA E VAJZAVE, GOSTIVAR ARSIM MODERN ME VLERA FETARE DHE KOMBËTARE

14 Maj 2026
Në ambientet e SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave, Gostivar u organizua me sukses manifestimi tradicional “Dita e Hapur”, një aktivitet madhështor edukativo-arsimor që mblodhi semimaturante, prindër, mysafirë të shumtë dhe personalitete të jetës fetare, arsimore e institucionale.
Manifestimi u nderua me praninë e Reisul Ulemasë së Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftiut të Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, drejtorit të Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, drejtorëve të dikastereve të ndryshme pranë Rijasetit të BFI-së, udhëheqjes së sektorit arsimor në Komunën e Gostivarit dhe Vrapçishtit, përfaqësuesve të institucioneve komunale, si dhe drejtorëve dhe arsimtarëve të shkollave fillore nga territori i Gostivarit dhe Vrapçishtit, të shoqëruar nga semimaturantët, për të cilët edhe u organizua ky aktivitet i veçantë prezantues dhe edukativ.
Ky aktivitet kishte për qëllim prezantimin e kushteve moderne të shkollës, programeve edukative, projekteve inovative dhe vizionit të medresesë për ndërtimin e gjeneratave të reja me dije, moral, identitet dhe përgatitje bashkëkohore.
Në hapje të programit, koordinatori i paraleles së vajzave në Gostivar, Prof. Afrim Alija, përshëndeti të pranishmit duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe arsimimit të vajzave në frymën e dijes, moralit dhe vlerave kombëtare e fetare.
Në fjalën e tij ai theksoi:
“Medreseja jonë është shkollë e dijes dhe e besimit, shkollë e teknologjisë dhe e moralit, shkollë e disiplinës dhe e kreativitetit.”
Ai shtoi se nxënëset në këtë institucion përgatiten jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në zhvillimin e vetëbesimit, kreativitetit dhe aftësive praktike për jetën, duke e përmbyllur mesazhin e tij me fjalët:
“Kush edukon një djalë, edukon një individ. Kush edukon një vajzë, edukon një komb!”
Ndërsa drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, në fjalën e tij potencoi se institucioni është i akredituar dhe ofron arsimim cilësor në lëndët fetare, shkencore dhe teknologjike.
Ai theksoi se medreseja tashmë është pjesë e bashkëpunimeve dhe rrjeteve ndërkombëtare arsimore, përfshirë bashkëpunimet me shkollat “Imam Hatip” në Turqi.
“Medreseja ka dyert e hapura në të gjitha anët e botës”, u shpreh drejtori Islami.
Myftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, në fjalën e tij vlerësoi rolin e medresesë si vatër ku bashkohen dija fetare dhe ajo shkencore, duke veçuar investimet në teknologji, laboratorë modernë dhe projektet inovative që po realizohen në këtë institucion.
Ai theksoi se synimi i medresesë është formimi i personaliteteve të ndershme, të edukuar dhe të përgatitura për sfidat e kohës moderne.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili në mesazhin e tij potencoi rëndësinë e arsimit dhe dijes në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe të zhvilluar.
Ai theksoi se dy parimet themelore të edukimit janë “Lexo” dhe “Shkruaj”, duke nënvizuar se dija duhet të jetë gjithmonë në shërbim të vlerave njerëzore, moralit dhe dinjitetit të shoqërisë.
Gjatë prezantimit, mysafirët patën mundësi të vizitojnë nga afër klasat moderne digjitale, kabinetet e fizikës, kimisë, biologjisë, informatikës dhe gjuhëve, si dhe të njihen me projektin inovativ “Tabletë për çdo nxënëse”, që paraqet një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe modernizimit të procesit mësimor.
Semimaturantët patën mundësinë të ndjekin nga afër eksperimente të ndryshme nga lëndët shkencore, të realizuara nga nxënëset dhe profesorët e shkollës, të cilat dëshmuan nivelin e lartë të punës praktike, kreativitetit dhe qasjes moderne që kultivohet në institucionin tonë.
Përmes këtyre prezantimeve praktike, vizitorët u njohën me mënyrën bashkëkohore të zhvillimit të procesit mësimor, ku teoria ndërthuret me praktikën, teknologjinë dhe hulumtimin shkencor.
Pjesë e programit ishte edhe ekspozita artistike me punime kreative të nxënëseve, ku u prezantuan punime në filigrafi, kaligrafi, xham, letër dhe kadife, duke reflektuar talentin, kulturën artistike dhe kreativitetin e nxënëseve tona.
Organizatorët theksuan se SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar vazhdon të mbetet një institucion model që ndërton ura ndërmjet traditës, edukimit fetar dhe dijes bashkëkohore, duke përgatitur gjenerata të suksesshme për të ardhmen.
Në fund, falënderojmë sinqerisht Bashkësinë Fetare Islame në RMV, Myftininë e Gostivarit, institucionet komunale dhe arsimore, drejtorët dhe arsimtarët e shkollave fillore, stafin edukativo-arsimor, nxënëset dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan në realizimin me sukses të këtij manifestimi të rëndësishëm.

COMMENTS