Medreseja “Isa Beu” – paralelja e vajzave – Shkup organizoi ceremoninë solemne të përcjelljes së maturanteve të gjeneratës së XVII-të

Medreseja “Isa Beu” – paralelja e vajzave – Shkup organizoi ceremoninë solemne të përcjelljes së maturanteve të gjeneratës së XVII-të

Më 12.05.2026, në Teatrin Kombëtar Shqiptar u mbajt ceremonia solemne e përcjelljes së maturanteve të gjeneratës së XVII-të të SHAM “Medreseja Isa Beu” – paralelja e vajzave – Shkup. Në një atmosferë festive dhe plot emocione, ky manifestim mblodhi maturantet, prindërit, familjarët, profesorët, si dhe mysafirë e përfaqësues të institucioneve fetare, arsimore dhe shoqërore, për të ndarë së bashku këtë moment të rëndësishëm në jetën e tyre.
Programi filloi me ashere Kur’anor të interpretuar nga nxënëset, ndërsa më pas moderimin e ceremonisë e morën përsipër nxënëset Bushra Neziri dhe Selma Hoxha, të cilat me përkushtim dhe elegancë udhëhoqën programin gjatë gjithë manifestimit. Në vazhdim u bë hapja zyrtare e ceremonisë dhe hyrja solemne e maturanteve, duke i dhënë një hijeshi të veçantë kësaj mbrëmjeje festive.
Ceremoninë me praninë e tyre e nderuan Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, Drejtori i Përgjithshëm i Medresesë, Dr. Islam Islami, Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Dekani i FSHI-së, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, deputetja e Parlamentit të RMV-së, Imërlije Saliu-Fetai, koordinatorja e paraleles së vajzave, Nurten Shehi-Sakipi, drejtorë të sektorëve pranë BFI-së, profesorë dhe profesoresha nga të gjitha paralelet e Medresesë, imamë, si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Të pranishmëve me fjalë përshëndetëse dhe urimi iu drejtua fillimisht koordinatorja e paraleles së vajzave, Nurten Shehi-Sakipi, e cila falënderoi prindërit dhe profesorët, në veçanti kujdestaret e klasave për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre ndaj maturanteve, duke vlerësuar punën dhe sukseset e arritura nga kjo gjeneratë.
Më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Medresesë ,Dr. Islam Islami, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e edukimit dhe formimit të brezave të rinj në frymën e dijes, moralit dhe vlerave Islame, duke i inkurajuar maturantet të vazhdojnë rrugën e diturisë dhe suksesit.
Në vazhdim, Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, foli mbi rëndësinë dhe emanetin që mbartin mbi supet e tyre medresantet, si dhe roli i tyre edukativ në familje dhe shoqëri.
Ndërsa në fund, me një fjalim rasti ceremoninë e përshëndeti edhe Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir Fetahu, i cili përgëzoi maturantet për përfundimin me sukses të kësaj etape të rëndësishme të jetës së tyre, duke i këshilluar që të mbeten të lidhura me dijen, fenë dhe vlerat njerëzore në çdo hap të rrugëtimit të tyre të ardhshëm.
Në kuadër të programit artistik u paraqit kori i nxënëseve, monologu i përgatitur enkas për këtë ditë nga maturantja Ajshe Kovaçi, si dhe fjalimi i nxënëseve të dalluara të gjeneratës, Esra Nexhipi (IV-a) dhe Hitmete Islami (IV-b). Ceremonia vazhdoi me ndarjen e mirënjohjeve për maturantet dhe u përmbyll me ilahinë kushtuar medresesë, e cila ngjalli emocione dhe mbresa të veçanta te të gjithë të pranishmit.
Kjo ceremoni shënoi fundin e një kapitulli të rëndësishëm në jetën e maturanteve dhe njëkohësisht fillimin e një rrugëtimi të ri drejt sfidave dhe sukseseve të ardhshme, duke mbetur një kujtim i paharruar për të gjitha pjesëmarrëset dhe të pranishmit në këtë manifestim solemn.
URIME MATURANTE…

COMMENTS