• E hënë – e premte, 7:30 – 13:30
Na ndiqni:
Medreseja "Isa Beu" në Shkup është një ndër institucionet më të vjetra dhe më të rëndësishme arsimore-fetare në trevat tona. Që nga themelimi, ajo ka pasur mision edukimin e brezave të rinj në frymën e dijes, moralit dhe vlerave islame, duke i përgatitur ata për sfidat e jetës dhe shërbimin ndaj bashkësisë. Përmes një programi mësimor bashkëkohor, që ndërthur lëndët fetare me ato të përgjithshme, medreseja u ofron nxënësve një arsimim cilësor dhe një bazë të fortë për studimet e mëtejshme universitare. Stafi ynë i përkushtuar pedagogjik punon vazhdimisht për të krijuar një ambient mësimor frytdhënës, ku nxënësit zhvillohen jo vetëm në aspektin akademik, por edhe atë shpirtëror dhe njerëzor.

EKSKURSION EDUKATIVO-KULTUROR I MATURANTEVE TË SHAM “MEDRESEJA ISA BEU” – PARALELJA E VAJZAVE, GOSTIVAR, NË STAMBOLL DHE BURSË

Maturantet e SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave, Gostivar, realizuan me sukses një ekskursion edukativo-kulturor në Stamboll, me një vizitë edhe në qytetin historik të Bursës.
Ekskursioni u realizua nën koordinimin e koordinatorit të Paraleles së Vajzave, prof. Afrim ef. Alija, në bashkëpunim me kujdestaren e klasës, prof. Mizeqete Hebibi, dhe prof. Lindita Abazi, të cilët shoqëruan maturantet gjatë këtij udhëtimi dhe u kujdesën për mbarëvajtjen e programit.
Ky udhëtim ishte një mundësi e veçantë për të ndërthurur njohuritë e fituara gjatë procesit mësimor me përjetimin e drejtpërdrejtë të historisë, kulturës, qytetërimit dhe trashëgimisë islame.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, maturantet vizituan disa nga monumentet dhe vendet më të rëndësishme historike e kulturore të qytetit, ndër të cilat: Miniaturk, lagjet historike Balat, Çukur, Kuzguncuk, Laleli, Fatih dhe Üsküdar, Yerebatan Sarnıcı (Cisterna e Bazilikës), kompleksin e Çamlıcës me xhaminë, muzeun dhe kodrën panoramike, Pallatin Yıldız, Pallatin Beylerbeyi dhe Pazarin e Madh (Kapalıçarşı).
Një përvojë e veçantë ishte edhe udhëtimi me anije nëpër Bosfor, ku maturantet patën mundësinë të shijojnë bukuritë e Stambollit nga deti dhe të përjetojnë nga afër veçantinë e qytetit që shtrihet në dy kontinente, Evropë dhe Azi.
Programi përfshiu gjithashtu vizitën në një qendër tregtare, duke krijuar hapësirë edhe për shoqërim, relaksim dhe argëtim.
Një ditë e veçantë iu kushtua qytetit të Bursës, ish-kryeqytetit të Perandorisë Osmane, ku maturantet vizituan Xhaminë e Madhe (Ulu Cami), tyrbet e Osmanit dhe Orhanit, pikën panoramike të qytetit, Koza Hanin dhe Pazarin e Vjetër, duke u njohur më nga afër me historinë e fillimeve të shtetit osman.
Momenti me vlerë të veçantë shpirtërore ishte falja e namazit të xhumasë në Xhaminë Fatih, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë islame dhe osmane në Stamboll.
Përveç njohurive historike dhe kulturore, ky ekskursion kontribuoi në forcimin e miqësisë, bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet maturanteve, duke u dhuruar atyre përvoja të reja dhe kujtime të çmuara në prag të përfundimit të shkollimit të mesëm.
Medreseja vlerëson se ekskursionet e këtij karakteri janë pjesë e rëndësishme e edukimit të gjithanshëm të nxënëseve, sepse dija nuk fitohet vetëm në klasë, por edhe përmes njohjes së botës, historisë dhe qytetërimeve.
Falënderojmë profesoreshat shoqëruese për përkushtimin dhe kujdesin, maturantet për sjelljen dhe përfaqësimin dinjitoz të institucionit, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij ekskursioni.
Urojmë që këto ditë të bukura të mbeten kujtime të paharrueshme dhe të shërbejnë si motivim për rrugëtimin e tyre të mëtejshëm arsimor dhe jetësor.
SHAM “MEDRESEJA ISA BEU” – PARALELJA E VAJZAVE, GOSTIVAR
Udhëtime që pasurojnë dijen, forcojnë vlerat dhe krijojnë kujtime për jetë!

Share This:
Tags: