Në mbrëmjen e 13 majit 2026, ambientet e ngrohta dhe shpirtërore të SHAM ‘’Medreseja Isa Beu’’ – Shkup, u mbushën me emocion, krenari e gëzim, teksa u përcollën 19 pishtarë të dijes – maturantët e gjeneratës së 39-të të Medresesë. Një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve, ku emocionet përziheshin me krenarinë dhe përkushtimin për rrugën e dijes dhe kultivimit të moralit të pastërt.
Mbrëmja u begatua edhe më shumë me pjesëmarrjen e Kryetarit të BFI-së në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu i shoqëruar nga drejtorë të sektorëve brenda BFI-së, nikoqiri i këtij eventi, drejtori gjeneral i Medresesë Dr. Islam ef. Islami, Muftiut të Muftinisë së Tetovës Dr. Selver ef. Xhemaili, Muftiut të Muftinisë së Manastirit H. Amit ef. Rasimi, prodekani i FSHI-së Dr. Ziber Lata si dhe profesorët ligjërues në këtë vatër të dijes dhe moralit.
Programi solemn dhe modest u fillua me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga nxënësi hfz. Emir Lutfiju, për të vazhduar më pastaj me një fjalë përshëndetëse në emër të dy kujdestarëve të klasave nga prof. Hamza ef. Asani.
Gjithashtu fjalë përshëndetëse dhe mirëseardhëse kishte edhe drejtori general i SHAM ‘’Medreseja Isa Beu’’- Shkup Dr. Islam ef. Islami i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi nxënësit për përfundimin e një etape të rëndësishme në jetën e tyre. Me krenari theksoi se çdo maturant është një gur i çmuar në themelet e institucionit, duke mishëruar dijen dhe moralin, dhe se tashmë ata janë pjesë e një historie të lavdishme me mbi katër mijë të diplomuar që nga themelimi i Medresesë.
Reisul Ulema me fjalët e tij të ngrohta, si gjithmonë, shprehu respektin e thellë për Medresenë Isa Beu dhe nxënësit e saj. Prania e tij dha një mesazh të fuqishëm se Medreseja nuk është vetëm një institucion arsimor, por një vatër e edukimit të gjeneratave që do të jenë drita ndriçuese për familjet e tyre, shoqërinë dhe umetin islam.
Në një atmosferë të mbushur me emocion, nxënësit dhuruan simbolikisht disa dhurata modeste për Drejtorin dhe kujdestarët e klasave, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen dhe kujdesin që kanë treguar gjatë rrugëtimit të tyre në Medrese.
Në fund, Medreseja Isa Beu uroi të gjithë maturantët për këtë arritje të rëndësishme dhe u dëshiroi shëndet, suksese të shumta dhe një të ardhme të ndritur. Kjo natë u mbyll me lutje për rrugëtimin e tyre, që gjithmonë të ndriçohet nga drita e diturisë, mirësisë dhe vlerave Islame.
Urime të gjithë maturantëve! Le të jetë udhëtimi i tyre i mbushur me bekime dhe suksese në çdo hap!



COMMENTS