- Info: Që nga viti 1984
- Numri: +389 (2) 2058 540
- Email: medreseja-isabeu@hotmail.com
Medreseja "Isa Beu" në Shkup është një ndër institucionet më të vjetra dhe më të rëndësishme arsimore-fetare në trevat tona. Që nga themelimi, ajo ka pasur mision edukimin e brezave të rinj në frymën e dijes, moralit dhe vlerave islame, duke i përgatitur ata për sfidat e jetës dhe shërbimin ndaj bashkësisë. Përmes një programi mësimor bashkëkohor, që ndërthur lëndët fetare me ato të përgjithshme, medreseja u ofron nxënësve një arsimim cilësor dhe një bazë të fortë për studimet e mëtejshme universitare. Stafi ynë i përkushtuar pedagogjik punon vazhdimisht për të krijuar një ambient mësimor frytdhënës, ku nxënësit zhvillohen jo vetëm në aspektin akademik, por edhe atë shpirtëror dhe njerëzor.
Medreseja "Isa Beu" në Shkup është një ndër institucionet më të vjetra dhe më të rëndësishme arsimore-fetare në trevat tona. Që nga themelimi, ajo ka pasur mision edukimin e brezave të rinj në frymën e dijes, moralit dhe vlerave islame, duke i përgatitur ata për sfidat e jetës dhe shërbimin ndaj bashkësisë. Përmes një programi mësimor bashkëkohor, që ndërthur lëndët fetare me ato të përgjithshme, medreseja u ofron nxënësve një arsimim cilësor dhe një bazë të fortë për studimet e mëtejshme universitare. Stafi ynë i përkushtuar pedagogjik punon vazhdimisht për të krijuar një ambient mësimor frytdhënës, ku nxënësit zhvillohen jo vetëm në aspektin akademik, por edhe atë shpirtëror dhe njerëzor.
Më 28 dhe 29 tetor 2026, në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë „Medreset në trojet shqiptare – histori, trashëgimi, kontribut“, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me Institutin për Hulumtime dhe Studime Islame, Fakultetin e Studimeve Islame dhe Medresenë „Alauddin“.
Kjo konferencë përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë akademike dhe institucionale, duke synuar trajtimin shkencor të historikut të medreseve në hapësirën shqiptare, dokumentimin e trashëgimisë së tyre arsimore e kulturore, si dhe vlerësimin e kontributit të tyre në zhvillimin e arsimit, edukimit fetar dhe formësimin e identitetit kombëtar e kulturor ndër breza.
Në këtë veprimtari shkencore mori pjesë edhe drejtori i SHAM „Medreseja Isa Beu“, Dr. Islam Islami, së bashku me personalitete të larta shtetërore e fetare, përfaqësues të institucioneve islame, drejtues akademikë, profesorë universitarë, studiues dhe hulumtues nga trojet shqiptare dhe më gjerë.
Në ceremoninë solemne të hapjes, të mbajtur më 28 tetor, morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, si dhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar ef. Spahiu, krahas përfaqësuesve të tjerë të institucioneve akademike, shtetërore dhe fetare.
Në fjalët e tyre përshëndetëse, përfaqësuesit e lartë shtetërorë dhe fetarë theksuan rolin e rëndësishëm të medreseve në historinë e arsimit dhe të edukimit fetar, në ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor, si dhe në kultivimin e vlerave morale, etike dhe shpirtërore në shoqërinë shqiptare. Hapjen e konferencës e bëri kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, z. Sabri Bajgora.
Pas sesionit solemn të hapjes, punimet e konferencës vijuan me prezantimin e kumtesave shkencore nga studiues dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Nëpërmjet qasjeve historike, pedagogjike, kulturore dhe institucionale, kumtesat trajtuan aspekte të ndryshme të zhvillimit të medreseve në trojet shqiptare, veprimtarisë së tyre arsimore e edukative dhe ndikimit të tyre në jetën fetare, intelektuale dhe shoqërore.
Në ditën e dytë të konferencës, drejtori i Medresesë „Isa Beu“, Dr. Islam Islami, prezantoi kumtesën e tij shkencore me titull „Roli i Medresesë në Arsimin, Edukimin dhe Formimin e Identitetit Kulturor“.
Në kumtesën e tij, Dr. Islam Islami trajtoi dimensionet thelbësore të misionit historik dhe bashkëkohor të medreseve, duke vënë në pah rolin e tyre në përvetësimin e dijes, formimin intelektual dhe moral të nxënësve, si dhe në transmetimin e vlerave fetare e kulturore nga njëri brez te tjetri. Vëmendje e veçantë iu kushtua ndërlidhjes ndërmjet arsimit, edukimit dhe identitetit kulturor, si dhe përgjegjësisë së medreseve në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe në përgatitjen e brezave të rinj për t’iu përgjigjur sfidave të kohës.
Kjo qasje e vendos medresenë jo vetëm në kontekstin e institucionit tradicional të arsimit fetar, por edhe në kuadrin më të gjerë të institucioneve edukative që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në formimin e individit dhe në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Në përmbyllje të konferencës, përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të mendimeve ndërmjet studiuesve dhe pjesëmarrësve, u trajtuan mundësitë për thellimin e mëtejshëm të kërkimeve shkencore mbi historinë e medreseve, sistemimin e burimeve historike dhe dokumentimin e trashëgimisë së tyre. Një rëndësi e veçantë iu kushtua nevojës për ruajtjen dhe promovimin e këtij fondi të çmuar historik, arsimor, fetar dhe kulturor.
Medreseja „Isa Beu“ e vlerëson pjesëmarrjen në këtë konferencë ndërkombëtare shkencore si një mundësi të rëndësishme për afirmimin e rolit të saj institucional, shkëmbimin e përvojave akademike dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e tjera arsimore e fetare.
Njëkohësisht, pjesëmarrja dhe kontributi shkencor i drejtorit Dr. Islam Islami dëshmojnë përkushtimin e Medresesë „Isa Beu“ ndaj avancimit të dijes, zhvillimit të mendimit akademik dhe studimit të trashëgimisë së medreseve shqiptare, me synimin që vlerat e tyre historike, arsimore dhe kulturore të dokumentohen, të studiohen dhe të përcillen te brezat e ardhshëm.










