Rëndesia e ushqimit hallall

Rëndesia e ushqimit hallall

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Krijuesit të kësaj gjithësie, Atë e falënderojmë dhe vetëm prej tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Përshëndetjet më të përzemërta qofshin mbi të dërguarin e fundit, Muhammedin (alejhisselam), familjen e tij të ndershme, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan dhe pasojnë rrugën e tij gjer në ditën e Llogarisë.

Të përkujtojmë të mirat dhe bereqetet që Allahu i Madhërishëm ka dhu­ruar për robërit e Tij. Të mirat e Allahut nuk kanë të numëruar. Allahu xh.sh. thotë: “ Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat)e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu fal dhe mëshiron shumë.”[1]

Falënderimet ndaj Allahut duhet të jenë të njëpasnjëshme, pasi edhe të mi­rat që ka dhuruar shtohen dita-ditës. Kjo është mrekullia që Allahu xh.sh. ka bërë për krijesat e Tij. Duke falënderuar Allahun, pa dyshim se do të njohim vlerën dhe rëndësinë e çdo sendi dhe do të luftojmë që sa më shumë të vep­roj­më vepra dhe punë të mira.

Nga dhuratat që Allahu na ka begatuar, është ushqimi dhe pija. Këto dy ele­mente janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut, prandaj duhet të kemi kujdes se si e fitojmë këtë ushqim; a është i lejuar apo i fituar në forma të nda­lua­ra? Të bëhemi të vetëdijshëm se ushqimi haram dëmton edhe ibadetin, dëmton ardhmërinë e familjes, dëmton imazhin e muslimanit. Të mendojmë për shkaqet dhe arsyet e ushqimit hallall. Të mendojmë se si ndihet njeriu kur të ushqehet me ushqime haram, me pije të ndaluara, të mendojmë rreth efek­teve të konsumimit të ushqimeve dhe pijeve të ndaluara (harame)? T’i hedhim një shikim argumenteve kur’anore që kanë të bëjnë me ushqimin dhe pijet e dedikuara për muslimanët. Është me rëndësi që si muslimanë që jemi, gjith­sesi duhet të ushqehemi me ushqime hallall, e mos të humbasim në konsu­mi­min ushqimeve të ndaluara, njëherazi, duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë burimit të ushqimit; nga vjen, ku prodhohet dhe ajo që është më me rëndësi që të mos sjellë dëme në shëndetin tonë.
Në suren En-Nahl, Allahu xh.sh. citon:

“ Ju (besimtarë), hani nga të mirat që ua dha Allahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e Allahut, nëse jeni të sin­qertë në adhurim vetëm ndaj Tij.”[2]

Muslimani i mirë duhet t’i kushtojë rëndësi asaj që konsumon në jetën e tij të përditshme, e veçmas kur dimë se çdo gjë që fusim në stomakun tonë, do të bëhet pjesë e tij dhe jo vetëm që ka efekte në anën e tij fizike, por edhe në atë shpirtërore.

Profeti Muhammed a.s. thotë: “ Kush ushqehet 40 ditë me ushqim hallall, Alla­hu e ndriçon zemrën e tij me dritë dhe e bën atë burim të urtësisë si në men­dim ashtu edhe në vepra.”

Kur të ushqehemi me gjëra të lejuara (hallall) dhe të mira, me këtë musli­ma­­ni ka treguar falënderim ndaj Allahut xh.sh. për të mirat që ka dhuruar. Zgjedhja e ushqimit të lejuar, ndihmon në ngritjen e sjelljeve të mira. Ushqimi hallall e pastron zemrën, e ndriçon atë dhe e aftëson për pranimin e të mirave.

Të marrim shembull mënyrën se si Pejgamberi (alejhisselam), kryente ther­jen e kurbanit. Jemi të obliguar që një gjë të tillë ta praktikojmë gjatë therjes edhe në ditët tona dhe të bëhemi sa më të mëshirshëm ndaj kafshës që duhet the­rur. Duhet të kemi në konsideratë se me kafshët nuk duhet abuzuar e as nuk duhet të lëndohen. Mënyra e drejtë gjatë therjes është që t’i therim në më­ny­rë të pastër në qafën e tyre duke përdorur thikë të mprehtë. Kjo është më­ny­ra e therjes, e cila bënë që kafsha të mos e ndiejë aq shumë dhimbjen.

Duhet ta dimë se pas çdo urdhri të cekur në Kur’an, pas tij fshihen arsyet dhe urtësitë, prandaj mos të habitemi kur të shohim ndalesat në Kur’an, për ar­sye se Krijuesi ynë ka ditur se çfarë është e dobishme dhe e dëmshme për krijesat e Tij.

Ushqimet dhe pijet të cilat janë të ndaluara për ne, në vete posedojnë edhe arsyet që Allahu xh.sh. ka dashur të na mbrojë nga papastërtitë dhe sëmundjet e panumërta që sot kanë kapluar botën. Për këtë do të sjellim rastin e zbuluar kohëve të fundit se mishi i cili nuk është therur sipas normave islame, është zbuluar që të jetë ndyrë me gjakun e mbetur në barkun e kafshës. Për shumë besimtarë, profesioni therës apo thënë me mirë “kasap” kuptohet si një pro­fe­sion jo me vlerë, mirëpo duhet t’i kemi frikë Zotit se në shikim të parë duket të jetë shumë i thjeshtë, mirëpo mosnjohja e therjes sipas normave islame, me të vërtetë sjell dëme të shumta në shëndetin dhe fenë e muslimanit. Nëse nuk i therim kafshët në venat e qafës së tyre, kjo gjë do të shkaktojë mos daljen dhe mos shpërthimin e gjakut nga trupi, dhe nëse gjaku nuk del nga trupi i kaf­shës, mishi i tillë do të ndyhet dhe do të rrezikojë jetën e konsumuesit, pran­daj duhet që t’i kushtojmë rëndësi ushqimit se ku e blejmë, të pyesim shitësin, të interesohemi, për arsye se me këtë ushqim ushqehemi ne, familja dhe fëmijët tanë. Është vërtetuar se edhe pijet alkoolike e rrezikojnë jetën e njeriut dhe nuk ka dyshim se moszbatimi i normave islame çon në dekadencë dhe degje­ne­rim, prandaj pijet e tilla dëmtojnë mendjen e njeriut, shkaktojnë sëmundje trupore, siç është shtypja e gjakut dhe sëmundje të tjera shoqërore. Mos të harrojmë se personi i dehur definitivisht është i dëmshëm për të gjithë: për gru­an, familjen, rrethin, etj. Si rrjedhim, të dashur besimtarë, kur Allahu xh.sh. na ndalon nga përdorimi dhe konsumimi i ushqimeve dhe pijeve të nda­luara, kjo nuk do të thotë se na kufizon nga kënaqësitë e ushqimit dhe pi­jes, por në fakt, me këtë na mbron nga efektet e dëmshme të ushqimeve të nda­luara.

Është me rëndësi për ne që të interesohemi rreth ushqimit dhe pijeve. Nëse dëshirojmë të jemi bashkësi islame e shëndoshë shpirtërisht dhe fizikisht, atë­herë nga ne kërkohet që të punohet më shumë në këtë drejtim. Shpeshherë ndo­dhë që t’i kushtojmë rëndësi të madhe ushqimeve të lejuara dhe neg­li­zhoj­më së menduari nëse është i mirë apo i keq për ne. Allahu xh.sh. thotë:

“ Të pyesin ty (Muhammed), se çka u është lejuar atyre? Thuaju: U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira…

Nga ajeti i mësipërm kuptojmë se Allahu xh.sh. jo vetëm që na ka urdhë­ruar të hamë ushqime të lejuara, por në të njëjtën kohë, ato duhet të jenë edhe të dobishme për shëndetin, si fjala vjen: ushqimet që përmbajnë yndyra apo ushqimet me përmbajtje të shumtë të sheqerit dhe kripës, të gjitha këto shkak­tojnë sëmundje si infrakti, sëmundja e sheqerit, probleme të veshkave, e shu­më e shumë të tjera.

Besimtarë të respektuar, mos të harrojmë se trupi ynë është amanet nga i Madhi Allah xh.sh. prandaj Allahu na e ka besuar këtë amanet dhe do të kuj­desemi për të në të gjitha mënyrat. Allahu xh.sh. thotë:

“ Dhe jepni në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.”[3]

Duhet të bëhemi muslimanë të mençur, të dimë se si të zgjedhim nga ush­qi­met dhe pijet e lejuara, të cilat në të njëjtën kohë janë të dobishme për shën­de­tin. Për të arritur sukses në këtë drejtim, siç e cekëm edhe më lartë, nuk ia vlen vetëm të themi se ushqimi duhet të jetë hallall, por i duhet kushtuar rën­dë­­si edhe përmbajtjes së ushqimit, që të mos sjellë dëme në shëndetin tonë, për­ndryshe nuk jemi kujdesur si duhet ndaj trupit dhe shëndetit që Allahu na ka begatuar, prandaj, feja islame, me të vërtetë i rregullon të gjitha sferat e je­tës së njeriut; ato të jashtme dhe të brendshme. Islami në mënyrë të prerë ka de­finuar ligjet dhe normat që pa to njeriu nuk do të ketë jetë të rehatshme. Prandaj, le t’i kthehemi fjalëve te Allahut, ligjeve te Tij, të mos mendojmë se nga ushqimet e ndaluara do të ketë dobi, për arsye se dëmet janë më të mëdha dhe fatale.

E lusim Allahun xh.sh. që çdo kafshatë të bukës që fusim në gojë, të jetë e le­juar (hallall), dhe e lusim të Gjithmëshirshmin që muslimanët në përgjithësi dhe ata shqiptarë në veçanti t’i japin fund konsumimit të pijeve të ndaluara, shitblerjes së tyre dhe të ushqehen vetëm me ushqime të lejuara.

Në fund kërkojmë nga Krijuesi që të na shpërblejë për të mirat dhe veprat tona, të na e pranojë agjërimin tonë, të na i falë gjynahet, dhe të na vdesë si mus­limanë. Amin!

 

Muharem Loki

COMMENTS