Zeqati dhe ndihmat për Medresenë, armë për fuqizimin e fjalës së Allahut

Zeqati dhe ndihmat për Medresenë, armë për fuqizimin e fjalës së Allahut

Ne u bëjmë thirrje të gjithë pjesëtarëve të fesë islame që zeqatin ta japin dhe ta destinojnë për qëllimet arsimore të Medresesë Isa Beu, sepse me këtë akt jemi të bindur se do ta ndihmojnë jo vetëm nxënësin, profesorin, pedagogun që punon në Medrese, por me këtë veprim do t’ia hapin dhe do t’ia zgjerojnë rrugën Islamit të vërtetë e të gjithëdobishëm për ne dhe për gjeneratat që vijnë pas nesh.

Shkruan: Prof. Ibrahim Idrizi

Medreseja Isa Beu – Shkup për 38 vite dëshmoi së është një institucion arsimor-fetar që prin në mënyrë koherente gjithë spektrin e jetës fetare islame në RMV. Prej vitit 1984, boshti kurrizor që i lidh gjymtyrët e tërë trupit fetar-islam në Maqedoninë e Veriut është Medreseja Isa Beu, me Paralelet e Shtrira. Jo vetëm për faktin se ajo e ripërtërin kuadrin me njerëz të kualifikuar, jo vetëm për faktin se po shënon një revulucion të vërtetë në pjesëmarrjen edhe të femrës myslimane në jetën fetare islame dhe në jetën e përgjithshme shoqërore, por për faktin se nëpërmjet shkollimit të drejtë dhe me standarde të kohës në të cilën jetojmë, të rinjtë që dalin nga ky institucion janë të armatosur me dije të shëndoshë fetare islame dhe njëkohësisht janë të plotësuar edhe me dituri nga lëndët e ndryshme me rëndësi të përgjithshme. Ky kombinim i ngritjes fetare-islame me dituritë shkencore-pedagogjike, në Medresenë tonë bëhet me një angazhim të mirëfilltë të stafit pedagogjik dhe njëkohësisht me përkrahjen edhe të Kreut të BFI-së.

Dhe, si qëndroi për mbi tri dekada gjysmë kjo Kala e Diturisë në rrugën e Allahut, Krijuesit të vetëm? Ajo qëndroi falë ndërgjegjes së shëndoshë të popullatës islame, e cila e pa si rrugëdalje të vetme mirëmbajtjen dhe avancimin e shkollimit të mesëm të të rinjve të saj nëpërmjet këtij institucioni. Është një krenari e jashtëzkonshme të mendohet se në një shtet me karakter social dhe laik, të mundet nga popullata të mirëmbahet me forcat e veta një institucion i këtillë pa ndihmën e shtetit. Me ndihmat dhe zeqatin që dhanë pjesëtarët e Islamit, i treguan botës laike përreth se edhe pa ndihmën e shtetit, mund të mbahet një institucion që prodhon vlera për fëmijët dhe ardhmërinë e tyre. Dhënia e zeqatit dhe e ndihmave për këtë institucion, nuk është vetëm një përgjegjësi e lartë për mirëmbajtjen e jetës fetare-islame, por më tepër është përgjegjësi se me këto ndihma çdo njeri që jep, bëhet vetë shtyllë e mbajtjes dhe e përhapjes së

Fjalës së Krijuesi të Tij. E, të bëhesh shtyllë mbajtëse së Fjalës së Allahut, do të thotë të jesh në istikame të qëndrueshme dhe t’u bësh ballë sfidave të kohës, duke jetësuar Porosinë e Tij.

Drita e Zotit shpërndahet vetëm nëpërmjet rrezeve të diturisë

Qytetari i trojeve tona, pa marrë parasysh se a është i pasur ose jo, dhënien e caktimit të Zotit si zeqat dhe sadaka – kur e jep për institucionin fetar islam, sheh se drita e Zotit shpërndahet vetëm nëpërmjet rrezeve të diturisë. Numri prej 800 medresantëve e medresanteve që aktualisht mësojnë në bankat e kësaj vatre edukative arsimore dhe mbi 3.117 të diplomuarve deri më tani, prej të cilëve 1.469 janë femra, flet qartë se ky institucion është në nivelin më të lartë të detyrës së shenjtë. Por, jeta fetare islame, e në veçanti ajo arsimore, me gjithë insistimin tonë permanent që të jetë pjesë e sistemit arsimor të shtetit, është lënë jashtë, me qëllim që të zvetënohet dhe të degradohet; bile, edhe të humbet. Ky është qëllimi i atyre që e kundërshtojnë ekzistimin e institucioneve fetare islame, duke e ditur se jeta institucionale pa përkrahjen e shtetit nuk mund të ekzistojë! Por, çka ndodhi? Jo vetëm që nuk u shua kjo Kala e Dijes dhe e arsimit islam ndër vite, por ajo si një pranverë e begatë lulëzoi me degë të reja edhe për mësimin e femrave si një plagë e moçme e të rejave, të cilat pas mbarimit të shkollës fillore mbeteshin nëpër shtëpi në mëshirën e kohës. Kjo është ndër të arriturat kolosale të këtij institucioni dhe të vetë BFI të RMV. Në anën tjetër, kemi një ngritje të shkallës së lartë të vetë procesit edukativo-arsimor në vetë institucionin e shkollës. Programet vjetore për çdo vit janë duke u begatuar me brendi e përmbajtje të reja, të cilat korrespondojnë me zhvillimet kohore dhe janë më se të nevojshme për integrimin e vetë Islamit në çdo pore të jetës. Më nuk e kemi mendresantin që i di vetëm bazat e fesë islame, por kemi kuadër i cili pas mbarimit të Medresesë është i gatshëm të integrohet jo vetëm në jetën fetare islame, por në çdo institucion tjetër të nevojshëm. Rezultati i punës sonë është që sot nëpër institucionet publike vërejmë në masë të konsiderueshme vajza krenare të cilat me mbulesa i kryejnë të gjitha detyrimet e tyre aty ku punojnë, bile ua kanë lakminë edhe pjesëtarët e feve të tjera për sjelljen, korrektësinë dhe saktësinë e kryerjes së detyrave të punës. Këto të arritura janë falë punës së pandalshme dhe të palodhshme të Medresesë Isa Beu me qendër në Kondovë, si dhe të simotrave të saj, Paraleleve të Shtrira të femrave në Tetove, Gostivar dhe Shkup, si edhe ajo e djemve në Shtip.

Një dimension i rëndësishëm për zhvillimin e jetës fetare islame është financimi i objekteve fetare islame dhe, në kuadër të kësaj, edhe i Medresesë Isa Beu, si qeliza themelore e organizmit të jetës fetare islame në Maqedoninë e Veriut. Ky dimension del nga kushti bazë i Islamit – ku me ajete të qarta i Madhërishmi e cakton Zeqatin si kategori elementare të besimit. Ajetet që bëjnë fjalë për shtyllat e besimit qartësojnë se pas namazit, shtyllë kryesore kemi zeqatin. Mbi 80 ajete në Kuranin famëlërtë namazin dhe zeqatin i paraqesin si obligim paralel për besimtarët. Deviza ,,Falni namaz dhe jepni zeqat” është formulë kuranore, e cila e mbjell, e rrit dhe e zhvillon besimin në Një Zot te çdonjëri dhe kjo është e qartë për mbarë botën islame. Por kjo devizë e përgjithshme duhet të konkretizohet sipas legjislacionit kuranor dhe profetik në vetë jetën tonë të përditshme. Këtë problematikë e kanë trajtuar dijetarët e Islamit si: shejh Jusuf

Kardavi, i cili në librin e tij Fikh-el Zekat thotë: “Zeqati, ashtu siç e njohim, është obligim që u nënshtrohet rregullave rigoroze (faridatum minallahi) dhe jo si e drejtë që u lihet përsonave që ta zbatojnë në bazë të nivelit të tyre të besimit. Duhet të jemi të qartë se zeqati nuk është asfarë mirëbërje ose lëmoshe, por kategori sociale e cila e kontrollon shoqërinë dhe realizohet nëpërmjet mekanizmave administrativë që e mbledhin, e depozitojnë dhe e shpërndajnë zeqatin në fonde për qëllime të caktuara.”

Me të drejtë, myslimanët e trojeve tona, duke u bazuar në themelet e Islamit dhe duke zbatuar njërën nga pesë shtyllat e tij, e zbatuan (edhe) këtë obligim. Ky zbatim është me rëndësi të dyfishtë, sepse një mysliman që e jep zeqatin dhe ndihmën tjetër për institucionet edukative- arsimore fetare, ka dobi të dyfishtë, sepse, e para: e kryen obligimin e caktuar nga Zoti (ajeti ,,merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira!” (Teube: 103) dhe e dyta: jeton praktikisht me atë obligim, duke e jetësuar të dhënën e vet për hir të Allahut (a. z. xh.) – “thuaj: ‘Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët

do të shohin punën tuaj’.” (Teube: 105) Këto dy segmente bëjnë të mundur realizimin e vetë Islamit edhe si normë, edhe si praktikë. Në rastin konkret, me ndihmën që i jep Medresesë, ai kryen edhe obligimin që ka si detyrim social ndaj shoqërisë, por njëkohësisht e di se zeqati apo ndihma e tij është në një rrugë zhvillimore me shumë të mira, sepse edhe nëse nuk mëson fëmija i tij, do të mësojë një i afërm, i cili do t’ia edukojë familjen, ose, së paku, prej të cilit nuk do të ketë dëm, por do të ketë dobi njerëzia. Çdo njeri duhet ta pyet veten në prag të dhënies së zeqatit dhe ndihmës, se: ku duhet ta japë të njëjtën? Shumë predikues mbështeten tek ajetet se Zeqati duhet të jepet për të varfërit, për jetimët, udhëtarët etj. Këto kategori vërtet janë të mbrojtura me normat kuranore dhe me ligjislacionin profetik, por këto kategori në kohën tonë janë të pakta dhe zgjidhen edhe nga shteti me ndihmesa të ndryshme sociale dhe, falë Zotit dhe mëshirës së Tij, shumë pak njerëz kemi që vuajnë për bukë dhe për gjëra elementare. Sot nevoja e dijes është në rend të parë dhe e padiskuteshme për dy shkaqe: e para, sepse ajo është obligimi i parë i Zotit, pasi ajeti i parë i Shpalljes na obligon në këtë detyrim të shenjtë; dhe e dyta, sot arsimit në përgjithësi i është bërë një hile, duke e politizuar dhe duke e zhveftësuar deri në atë masë, saqë diplomat shiten si një mall pazari, kështu që edhe ai që shet edhe ai që blen janë në rolin e djallit që i ka mashtruar, se gjoja bëjnë mirë, se me diploma të blera pa dituri do të kenë ndonjë pozitë të lartë në shoqëri. Këtë mbrapshti ne si Medrese Isa Beu e kemi luftuar dhe do ta luftojmë derisa të jetë e mundur, edhe pse dukuria e këtillë na ka bërë dëm edhe neve, sepse të rinjtë influencohen nga një dukuri e këtillë e shëmtuar.

E kundërta e Medresesë është shkatërrimi i qartë

Medreseja Isa Beu është një institucion që përmes programeve mësimore zhvillon një veprimtari edukative-arsimore e cila i ngre vlerat njerëzore në bazë të Kuranit dhe të Sunnetit të Muhamedit (a. s.) dhe kjo edukatë është një dritë që duhet ditë e përditë ta ndriçojë dhe ta ngrohë njerëzimin, sepse e kundërta po shihet se po e çon drejt një shkatërrimi të qartë. Për të mos ndodhur kjo katrahurë, ne u bëjmë thirrje të gjithë pjesëtarëve të fesë islame që zeqatin ta japin dhe ta destinojnë për qëllimet arsimore të Medresesë Isa Beu, sepse me këtë akt jemi të bindur se do ta ndihmojnë jo vetëm nxënësin, profesorin, pedagogun që punon në Medrese, por me këtë veprim do t’ia hapin dhe do t’ia zgjerojnë rrugën Islamit të vërtetë e të gjithëdobishëm për ne dhe për gjeneratat që vijnë pas nesh. Jo rastësisht në shumë vende në Kuranin fisnik qëndron aksioma

(apo dituria që nuk kërkon vërtetim që d.m.th. se dihet nga përvoja e çdonjërit në jetë) ,,se këtë e kuptojnë vetëm të diturit, se kjo është për ata që mendojnë, por këtë nuk e kupton tjetërkush përveç njerëzve të mençur; ose, nëse s’e kuptoni, pyetni ndonjë të ditur”. Në këto porosi kuranore ka urtësi të shumta, të cilat neve në shërbejnë për të jetuar një jetë të qetë, të begatë dhe larg sherrit dhe cytjes së shejtanit të mallkuar. Dhe, të bësh detyrimin tënd, pra të japësh zeqatin ose ndihmën në një institucion që mbjell dituri, prej së cilës kanë dobi të gjithë, është një mirësi e madhe, që na vendos te njerëzit më të merituar tek Allahu fuqiplotë.

Zeqati është urtësi e Zotit, që ka për qëllim të mirën e përgjithshme – është shprehur dijetari i madh Sheltuti në veprën e tij të njohur El-Fetava dhe ne do të shtojmë se a ka më të mirë të përgjithshme se sa shkollimi i të rinjve në frymën e Islamit dhe të Kuranit plot-dritë?! Të njëjtë e kemi edhe qëndrimin e komentuesit të spikatur Reshit Rida, i cili në librin e tij Tefsirul- Kur`ani Kerim arsyeton se në kohën tonë është më e rëndësishme që zeqati të jepet për shkollimin dhe aftësimin e njerëzve, që ta shpjegojnë dhe ta kuptojnë të vërtetën e Islamit. Ndërkaq, revolucionari i Islamit, Sejit Kutb, në tefsirin e tij Fi-Dhilalil Kur’an thotë: “(Babun Vasiun jeshmelu kule maslehatin lil xhemati) pjesa 4 fq. 245: zeqati ka një kuptim të gjerë, që përfshin gjithçka që është e rëndësishme për shoqërinë. Dhe, a ka dilemë se arsyeshmëria e dhënies së Zeqatit dhe Sadekatul-fitrit për nevojat e shkollimit të fëmijëve tanë është dhënia më e qëlluar për të gjithë ne?! Kjo dhënie (zeqati, sadekatul-fitri dhe ndihma tjetër) është prova e vërtetë se si i kemi fituar dhe si i harxhojmë ato me të cilat na ka begatuar i Madhi Zot. Nëse dikush dëshiron ta manipulojë xhematin me ajetet dhe hadithet që gjoja se është me e arsyeshme që zeqati t’u jepet jetimëve dhe të varfërve, si më parësore sesa shkollimit, u themi me të drejtë dhe me arsye të shëndoshë se dhënia për këto kategori është obligim kuranor, po në këto momente këto norma shumë pak kanë të bëjnë me jetën reale. Me ndihmën e shkollimit, ne nuk i evitojmë pasojat ku kanë rënë këta njerëz, por i evitojmë shkaqet që e kanë krijuar problemin, pra për zgjidhjen e problemit në tërësi. Populli ynë i dashur ka një fjalë të urtë që thotë: ,,Mos i jep fëmijës peshkun, por mësoje ta përdorë grepin, për ta zënë peshkun.” Ne sot, fatmirësisht, nuk kemi nevojtarë për bukën e gojës; sot ushqimet e tepruara hidhen dhe kemi përbuzjen e tyre. Shumë nga fëmijët tanë me frigoriferat plot ankohen se s’kanë çka të hanë. Kjo mosëmirënjohje luftohet vetëm me shkollim, që e rrit besimin se Krijuesi i të gjitha të mirave është Zoti i Plotfuqishëm dhe se njeriu duhet të jetë mirënjohës për këto të mira. Ne nuk përjashtojmë ndihmesën ndaj të varfërve dhe njerëzve në nevojë dhe kuadrot tona këtë obligim e ngrenë në nivel të obligimit të përditshëm nëpër xhami dhe e njëta po zbatohet në çdo kohë.

Jeta institucionale është tentativa kryesore e Medresesë Isa Beu. Në kemi platformë legjislacionin e traditës profetike, që duhet zbatuar në kohën tonë dhe në kushtet tona të zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor. Për ta bërë Islamin normë gjithpërfshirëse, duhet vepruar institucionalisht dhe duke prodhuar sa më shumë medresantë të ditur e të devotshëm, që do t’i dalin zot si duhet fesë së vetme të vërtetë. Dedikimi e zeqatit dhe i ndihmave tjera për nxënësit e Medresesë Isa Beu është një obligim që duhet të përmbushet, që t’na sigurojë neve se jemi në rrugën e atyre të cilët Zoti i begatoi me të mira, e jo në rrugën e atyre që e humbën veten. Asgjë nuk do të mund t’na shpëtojë nga joshjet e kësaj bote, të cilat i nxit shejtani i mallkuar, nëse të diturit nuk i marrin në dorë gjërat me të cilat ndeshemi dita-ditës. Një i ri medresant, që ka dituritë dhe sjelljet me bazë kuranore, është më i dobishëm se shumëkushi që nuk i ka këto

virtyte. Një e re do të jetë një nënë e mrekullueshme nëse është e devotshme dhe nëse ka kulturën islame, që do ta përdorë për shtëpinë dhe fëmijët e saj, sesa një nënë që di të shfrytëzojë vetëm pasuritë e kësaj bote, pa e ditur se nga vijnë dhe pa e ditur se për gjithçka duhet falënderuar Krijuesi Madhështor.

Lusim Allahun e Gjithëfuqishëm që ky shkrim të prek zemrat e besimtarëve dhe – më fuqishëm, edhe gjatë këtij muaji të shenjtë të ndihmohet buxheti i Medresesë Isa Beu, të cilën e mohojnë si Ministria e Arsimit e RMV, ashtu edhe mbarë pushteti, i cili nuk parasheh asnjë donacion siç parasheh për Kishën Autoqefale dhe për grupacionet tjera fetare. Ky institucion është krijim i popullit tonë dhe unë besoj se puna e tij do të vazhdojë me përkrahje edhe më të fuqishme të besimtarëve tanë. Nëse ato nuk kujdesen për jetën tonë fetare islame, a do të thotë kjo se ne do të rrimë duarkryq dhe do të presim që të tjerët të na e çorientojnë rininë tonë në rrugët e drogës, alkoolit, kamatës, kurvërisë e mëkateve të tjera, të cilat janë duke e shkatërruar njerëzimin?!

Besoj se, edhe përkundër telasheve nga pandemia, ne do të dalim më të fortë dhe do t’i tregojmë botës se kemi ndihmën e Allahut të Madhërishëm dhe prandaj ne jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në të mira. Zoti ju Mëshiroftë, Zoti agjërim të këndshëm ju dhashtë, duke ndjerë erën e xhenetit përmes urtësisë së agjërimit. Paqja dhe mëshira mbi Muhamedin e dashur, paqja dhe mëshira mbi të gjithë ju, të nderuar vëllezër dhe motra të Islamit tonë të dashur!

(Autori është Drejtor i Medresesë Isa Beu)

COMMENTS