Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt Seanca e Pestë e Këshillit Nacional për Eurointegrime, një forum i rëndësishëm ku u diskutuan zhvillimet më të fundit dhe prioritetet strategjike drejt integrimit evropian. Në këtë seancë mori pjesë edhe drejtori i Medresesë Isa Beu në Shkup, Dr. Islam Islami, si përfaqësues i BFI-së.
Pjesëmarrësit e kësaj seance patën mundësinë të dëgjojnë nga Ministri për Çështje Evropiane, z. Orhan Murtezani, i cili ritheksoi përkushtimin e vendit ndaj vlerave evropiane, duke theksuar se rruga drejt BE-së kalon përmes reformave të thella, kompromisit dhe qëndrueshmërisë, edhe atëherë kur kërkohet një çmim i lartë politik.
Ambasadorja e Danimarkës me seli në Beograd, znj. Pernille Deiler Kardel, prezantoi para Këshillit programin e presidencës daneze me Këshillin e BE-së për periudhën korrik–dhjetor 2025, duke nënvizuar qëllimet dhe sfidat që presin Bashkimin Evropian në këtë gjysmëvjetor.
Në këtë takim morën pjesë anëtarë të Komisioneve për Çështje Evropiane, Politikë të Jashtme, si dhe përfaqësues nga Komiteti Parlamentar i përbashkët Maqedoni e Veriut–BE. Diskutimet u fokusuan në nevojën për të harmonizuar prioritetet kombëtare me agjendën e presidencës daneze, si pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Pjesëmarrja e drejtuesve të institucioneve arsimore dhe fetare, si ajo e Medresesë Isa Beu, në këto forume, tregon për rolin gjithëpërfshirës të shoqërisë në këtë proces jetik për të ardhmen euroatlantike të vendit.


COMMENTS