Karakteristikat dhe çlirimi i Mekkes

Karakteristikat dhe çlirimi i Mekkes

Karakteristikat e qytetit të Mekkes

Allahu xh.sh. e ka zgjedhur pikërisht këtë vend që këtu të ngritet Shtëpija e Tij për adhurim, këtu të jetë vendlindja e Muhamedit a.s., këtu të fillon zhvillimi i profetësisë së Muhamedit a.s., dhe që po këto troje të Mekkës së bashku me Arafatin të jenë vende për kryerjen e ritualeve të Haxhit, për të cilat janë të obliguar të prezentojnë besimtarët qofshin ata edhe nga vendet e afërta apo edhe nga vendet e largëta. Në këtë vend nuk lejohen luftërat e gjakderdhjet.

Vetë udhëtimi drejt saj është shkas për shlyerjen e mëkateve të mëparshme. Nuk ka vend në rruzullin tokësor që obligohen të gjithë ata që i plotsojnë kushtet t’ia mësyjnë për vizitë siç ngjet me qytetin e shenjtë të Mekkes. Qyteti i Mekkes për muslimanët paraqet një rëndësi të madhe, në rradhë të parë është e zhveshur nga vizitat e pa qëllimta. Vizita e këtij qyteti bëhet me qëllim afrimi tek Allahu xh.sh. dhe mu për këtë ky vizitorë, nuk i ngjanë vizitorit tjetër as në qëllim dhe as në pamjen e jashtme. Vetëm rreth Qabes është lejuar rrotullimi – tavaf i cili nuk lejohet ndaj asnjë ndërtese tjetër.

Vlerën e saj edhe më të madhe e bëjnë hadithet e Muhamedit a.s.

Muhamedi a.s duke qëndruar në El-Hazvereh (kodrinë e vogël ku ka qenë tregu i Mekkes) u shpreh me këto fjalë: “Pasha Allahun ti o Mekkë me të vërtetë je më i begatuari vend i Allahut te Allahu, e më i preferuari vend te Allahu, sikur të mos më dëbonin prej teje, unë kurrë nuk do të largohesha prej teje.”

Muhamedit a.s. kur ju imponua që ta braktisë Mekkën u shpreh me këto fjalë: “Unë po të braktisë ty oj Mekkë (shpërngulem larg teje) por unë gjithsesi e kam parasysh se ti je vendbanimi më i dashur për mua dhe vendi më me vlera te Allahu xh.sh., por sikur populli i saj mos të më detyronin për shpërngulje, kurrë nuk do të dilja prej teje.”

Muhamedi a.s. në një hadith thotë: “S’do të mbetet qytet (vend) që nuk të shkeli Dexhalli përveç Mekkes dhe Medines. S’do të mbesë ndonjë nga hyrjet e saj pa u vendosur engjëj të rradhitura e që me kujdes do ta mbrojnë.”

“Unë jam i pari që në ditën e ringjalljes do më hapet varri, pastaj Ebu Bekrit, më pas Omerit dhe do të më sjellin te të varrosurit e varrezës El-Bekije në Medine e do të dalin prej varrezave nën rreshtimin tim të varrosurit e Mekkes e që më pas do të drejtohem për në Mahsher që ndodhet ndërmjet dy vendeve të Shenjta (Mekke Medine).”

Allahu xh.sh. në Kur’an këtë qytet e ka emërtuar me shumë emra.

  1. “Dhe ai që pengoi duart e tyre prej jush dhe duart tuaja prej tyre brenda në Mekkë pasi që u dha fitoren kundër tyre.” (El-Feth, 24).
  2. “Shtëpia e parë (xhamia) e ndërtuar për njerëzit është ajo që u ngrit në Bekkë (Mekkë).” (Ali Imran, 96).
  3. Ummul Kura (Nëna e fshatrave). “Edhe ky Kur’an është Libër që e zbritëm,është i bekuar vërtetues i të mëparshmes e që tërheq vërejtjen nënës së fshatrave (banorëve të Mekkes) dhe atzre përreth saj (tërë botës)…. (El-En’am, 92).
  4. El-Beled.Vend i përshtatshëm për tu shëndruar në qytet të populluar në kontinuitet të përhershëm: “Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im bëre këtë qytet të sigurt!” (Ibrahim, 35).
  5. El-Beledul Emin. Qytet i sigurisë “Dhe këtë qytet të sigurisë” (Et-Tinë, 3).
  6. El-Beldetu. Qytet i populluar: “Unë jam i urdhëruar të adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti të cilin ai e bëri të shenjtë….”
  7. Harem-un Amin-un. Vend i shenjtë e i sigurtë. “A nuk ju siguruam ne atyre një vend të shenjtë e të sigurtë që aty sillen frytet e çdo sendi si furnizim.” (El-Ankebut, 67).
  8. Lugina pa bimë. “Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë ku nuk ka bimë pranë shtëpisë Tënde të shenjtë.” (Ibrahim, 37).
  9. Vendkthyerje: “Ska dyshim se Ai që ta bëri obligim Kur’anin, Ai do të kthejë aty kah erdhe.” (Kasas, 35).
  10. Fshati: “Se sa (popull) qytetesh(fshat) që ishin shumë më të fortë se fshati yt (qyteti yt). (Muhammed, 13).
  11. El-Mesxhidul Haram. Faltore e shenjtë: “Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e vet kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidil Haramit (Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa – (Bejtul-Mukades)… (Isra, 1).

Shkaku i betejës

Një paragraf i marrëveshjes në Hudejbije e cila u bë me vitin VI pas hixhretit parasheh se, kush dëshiron të hyjë në aleancë me Muhamedin mund ta bëjë këtë, dhe poashtu kush dëshiron të hyjë në aleancë me kurejshët mun ta bëjë këtë. Fisi i cili është në aleancë me njërën palë, konsiderohet si pjesë e asaj pale dhe që armiqësi që rrjedh prej ndonje fisi konsiderohet armiqësi e gjithë asaj pale. Sipas këtij paragrafi fisi Huza hyri në aleancë me Muhamedin a.s., ndërsa fisi Benu Bekër me kurejshët. Të dy fiset ishin indirekt në armpushim, edhe pse në kohën paraislamike kanë qenë në armiqësi të madhe. Fisi Benu Bekr e rrezikonte këtë siguri duke aktualizuar përsëri çështjen e hakmarrjes nga periudha e hershme. Kryetari i fisit Benu Bekr Neufel b. Muavi Ed-Dejli, në muajin shaban të vitit VIII h., i organizoi njerëzit e vet dhe sulmuan fisin Huza natën vonë te burimi El-Vetir në shpatin e Mekes, me ç’rast mbytën disa meshkuj. Atëherë u shkaktua përleshje dhe luftë, nëtë cilën kurejshët i ndihmuan fisit Benu Bekr me njerëz dhe armë, duke e shfrytëzuar natën e errët. Fisi Huza u kthyen në Mekke dhe gjetën mbrojtje te Budejl b. Verkae El-Huzai dhe mbrojësi i tyre i quajtur Refia.

Nga Mekka në Medine erdhi Budejl b. Verka El-Huzai me një grup njerëzish për t’i treguar Muhamedit a.s. për tërë ngjarjen. I rrëfyen se kush ishte vrarë në këtë përleshje dhe për ndihmën e kurejshëve Benu Bekrëve kundër tyre, pastaj u kthyen në Mekkë.

Hapi që ndërmorën kurejshët dhe aleatët e tyre ishte tradhti dhe shkelje e kontratës, andaj së shpejti e kuptuan se çka do të thoshte kjo tradhti. Të frikësuar nga pasojat e këqija që mun të rezultonin nga kjo, ata thirrën mbledhjen e këshillit ku vendosën të dërgonin kryeparin e tyre Ebu Sufjanin, te muslimanët që të përtërinin armëpushimin.

Ebu Sufjani sipas marrëveshjes së kurejshëve u nis për në Medinë. Rrugës takoi Budejl b. Verka i cili po kthehej nga Medina. Ebu Sufjani e pyeti: “Prej nga vjen o Budejl?” Budejli i përgjigj: “Vajta me disa njerëz nga fisi Huza në breg të detit dhe në këtë luginë.” Ebu Sufjani e pyeti: “A mos po kthehesh ndoshta nga Muhamedi?” “Jo” – u përgjigj Budejli. Kur Budejli vazhdoi rrugën për në Mekkë, Ebu Sufjani tha: “Nëse ka qenë në Medinë, me siguri e ka ushqyer deven e vet me bërthama.” Pastaj iu afrua vendit ku kishte pushuar devja e Budejlit, mori një bajgë, e thërmoi dhe në të gjeti bërthama, e tha: “Betohem për Allahun se Budejli ka qenë te Muhamedi.”

Pastaj vazhdoi rrugën dhe mbërriti në Medine. Hyri në dhomën e vjazës së tij Ummi Habibes. Deshi të ulej në shilten (dyshekun) e Muhamedit a.s. por e bija e tij nuk e lejoi. Ai pyeti: “O bija ime, përse nuk më lejon të ulem në këtë shilte? A po i jep përparsi shiltes ndaj meje, apo mua ndaj shiltes?” Ajo u përgjigj: “ Kjo është shiltja e Muhamedit a.s., ndërsa ti je jo besimtarë dhe i papastër.” Ai tha: “Për Zotin!, që kur je larguar nga unë të ka goditur kobi i keq.”

Doli nga e bija e tij dhe shkoi te Muhamedi a.s. për të biseduar, por Muhamedi a.s. kurrsesi nuk iu përgjegjë. Pastaj shkoi te Ebu Bekri, Omeri dhe Aliu r.a. për t’i lutur që të flisnin me Muhamedin a.s., por nga asnjëri nuk mori përgjigje pozitive duke i thënë se Muhamedi a.s. na ka ndaluar rreptësisht të flasim me të për këtë çështje.

Atëherë Ebu Sufjani i mbetur pa shpresë para këtij qëndrimi krejtësisht mohues të të gjithë shokëve me Muhamedin a.s. në krye, u detyrua të kthehej në Mekkë pa bërë asgjë dhe t’u thotë mekasve: “Unë nuk kam takuar gjer më sot popull kaq besnik ndaj sundimtarit të vet.”

Muhamedi a.s. dha urdhër të nisin pregaditjet e fushatës luftarake. Fiset e afërta u thirën në Medine, të largëtat u urdhëruan ta prisnin ushtrinë e të bashkoheshin me të atje ku ndodheshin. Por veprohej me një mënyrë tepër të fshehtë, që armiku të mos dyshonte për këtë veprimtari kaq të madhe, Muhamedi a.s. dërgoi një patrullë vëzhgimi nga ana e Sirisë, ndërkohë që i vinte të gjitha anët nën një kontroll të reptë. Muhamedi a.s. tregohej tepër i vendosur që me ndihmën e Zotit kjo fushatë të përfundonte pa derdhur gjak.

Hatib Ibni Baltea u dërgoi kurejshitëve lajmin për pregaditjen e Muhamedit a.s., ku informonte për situatën, letrën e kishte nisur nëpërmjet një gruaje, e cila e kishte fshehur letrën në bishtalecin e vet. Muhamedi a.s. u informua nëpërmjet shpalljes, andaj u tregoi Aliut r.a. dhe Zubejr bin Mikdadit gruan dhe vendin se ku do ta gjenin atë dhe i nisi me detyrë. Gruaja u kap atje ku tha Muhamedi a.s., iu muar letra dhe u suall te Muhamedi a.s., kur e pyeti Hatibin se pse e ke bërë këtë, Hatibi një fitimtarë i Bedrit i penduar rëndë iu përgjegj: “O i dërguar i Allahut emigrantët Mekkas kanë dikë atje që t’ua mbroj familjet dhe pasurinë. Kurse unë nuk kam askënd. Me këtë letër unë desha që duke i bërë ata mirënjohës ndaj meje të siguroja mbrojtjen e familjes dhe pasurisë sime! Unë nuk jam spiuni i tyre! Dhe këtë punë nuk e bëra me një qëllim të keq siç është kthimi nga feja. Pasi u bëra musliman unë kurrë nuk e kam pranuar dhe nuk e pranoj mohimin. Vallahi besimi im për Allahun dhe të Dërguarin është i pa fund.”

Në ditën e dhjetë të muajit të shenjtë ramazan të vitit VIII h. Muhamedi a.s. u nis nga Medina për në Mekkë me dhjetë mijë muslimanë. Muhamedi a.s. udhëtonte nga Medina duke agjëruar. Agjëronin edhe muslimanët e tjerë, kur erdhën te burimi Kudejd Muhamedi a.s. ndërpreu agjërimin dhe piu ujë e edhe muslimanët vepruan kështu. Prej aty vazhduan rrugën deri në Merri – Dhahran, ndërsa jacija i zuri në luginën Fatime. Aty i urdhëroi çdo luftëtarë që të ndez nga një zjarr. Abbasi o morri pelën e bardhë të Muhamedit a.s. dhe doli që të kërkonte dikë për ta dërguar te kurejshët që t’ju thoshte të dilnin dhe t’i ofronin Muhamedit a.s. garanci sigurie para se të hynte në Mekkë. Allahu i pengoi kurejshët që të siguronin çfarëdolloj informate për muslimanët, edhe pse ishin mjeshtër të mëdhenj në vëzhgim dhe në spiunim. Edhe vetë Ebu Sufjani doli në vëzhgim. Në atë moment takohet Abbasi me Ebu Sufjanin dhe i tregon se Muhamedi a.s. me dhjetë mijë ushtarë është nisur për në Mekkë. Pastaj Abbasi e këshilloi Ebu Sufjanin që të shkojnë bashkë te Muhamedi a.s.. Qëllimi i Abbasit ishte që ta shpëtojë Ebu Sufjanin. Pasi Ebu Sufjani kaloi në islam, Abbasi i tha Muhamedit a.s.: “Ebu Sufjani dëshiron diçka që të krenohet tek populli i vet, prandaj jepi mundësi”. Muhamedi a.s. ia mundësoi një gjë të tillë, dhe kur hyri në Mekkë tha: “Kush hyn në Qabe dhe në oborrin e saj është i siguruar, kush hynë në shtëpit e veta dhe dorzohet do të jetë i siguruar dhe kush hynë në shtëpin e Ebu Sufjanit do të jetë i siguruar”.

Muamedi a.s. bëri radhitjen e ushtrisë, në krahun e djathë caktoi Halid Ibn Velidin, dhe e urdhëroi që të hynë në Mekkë nga ana e poshtme, në anën e majtë e caktoi Zubejr b. El-Avvami i cili mbante flamurin e Muamedit a.s. i dha urdhër që të hynte nga ana e epërme. Ebu Ubejde komandonte këmbësorinë, e cila nuk ishte e armatosur. Andaj Muamedi a.s. urdhëroi që të strehoheshin mas luginës, në mënyrë që të niseshin për në Mekkë pasi që të hynte Muamedi a.s.. Çetat muslimane hynë në Mekkë nga të gjitha anët, kurse Mekasit nuk panë rrugdalje tjetër përveç se të dorëzohen pa luftë.

Muhamedi a.s. hyri në Qabe të lutet, i urdhëroi muslimanët që ta pastrojnë Qaben nga idhujt të cilët gjendeshin rreth e përqark saj, pastaj urdhëroi njërin prej muslimanëve që t’i fshijë muret e brendshme të Qabes prej vizatimeve të ndryshme. Pastaj Muamedi a.s. aty u fal dhe bëri një rreth brenda Qabes, e shqiptoi tekbirin në të dy anët. Mbajti një fjalim kurejshitëve në mes tjerave tha: “O popull kurejshit, Allahu ju ka çliruar nga kryelartësia e xhahilijetit dhe nga madhërimi paraislamik i etërve tuaj. Të gjithë njerëzit e kanë prejardhjen nga Ademi, ndërsa Ademi është prej dheut.” Pastaj lexoi ajetin kuranor “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe bëmë popuj dhe fise për t’u njohur (mes vete). Më fisniku tek Allahu është ai, i cili më së shumti ia ka frikën Atij. Allahu me të vërtet i di të gjitha dhe për Të nuk ka fshehtësi”. (El-Huxhurat, 13)

“Unë tani nuk do t’ju qortoj”.

Pastaj Muamedi a.s. vazhdoi: “O popull kurejshit, si mendoni ç’keni merituar dhe çfarë do të bëj tani me ju?” u përgjigjën: “Vetëm të mira, sepse ti je vëllai dhe i biri fisnik”. Muamedi a.s. tha: “Do t’ju them njësoj siç u ka thënë Jusufi a.s. vëllezërve të vet: Unë tani nuk do t’ju qortoj, shkoni ju jeni të lirë.”

Ibni Abbasi transmeton se Muhamedi a.s. në ditën e çlirimit të Mekkës ka thënë: “Nuk ka migrim prej Mekkes por ka xhihad dhe nijet. Nëse ju thret udhëheqësi për luftë përgjigjuni atij. Këtë vend e ka shpallur të pa prekshëm Allahu qysh në ditën e krijimit të qiejve dhe tokës dhe ky është i shenjtëruar nga Allahu deri në Ditën e Gjykimit”.

 

Mr. Lutfi Nexhipi

SHMI “Medreseja Isa Beu” – Shkup

COMMENTS