Drejtoria e Medresesë “Isa Beu”, në krye me drejtorin, Dr. Islam Islami, njofton opinionin e gjerë, sidomos nxënësit dhe prindërit e tyre, për një zhvillim historik dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar Ligjin për shkollat e mesme fetare, me të cilin diploma e Medresesë “Isa Beu” do të njihet dhe pranohet nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit.
Kjo është një fitore e madhe për të gjith, sidomos për Bashkësinë Fetare Islame, në krye me Reisul Ulema H. Hfz Shaqir ef. Fetahu, ku pas një betejë disadekadëshe rregullohet statuti i Medresesë me ligj të posatshëm nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.së Veriut.
Drejtoria e Medresesë, falemderon të gjithë ata që ndihmuan në këtë proces – kryeministrin për mirëkuptimin, zëvendëskryeministrin e parë për mbështetjen, ministren e Arsimit dhe Shkencës dhe zëvendësministrin për angazhimin e palodhshëm, si dhe të gjithë të tjerët që kontribuan në çfarëdo forme për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm.
Drejtoria e Medresesë shpreson që ky ligj të miratohet së shpejti edhe nga Kuvendi i Republikës, duke inkurajuar deputetët që të japin mbështetjen e tyre për këtë hap të drejtë dhe shumë të vonuar.
Medreseja “Isa Beu” vazhdon të qëndrojë në shërbim të dijes, edukimit dhe avancimit të arsimit fetar dhe kombëtar në vend.


COMMENTS