Sot, më 17 korrik 2025, në ambientet e Medresesë Isa Beu në Shkup, drejtori i Medresesë Dr. Islam Islami, në cilësinë e nikoqirit, priti në një vizitë zyrtare përfaqësuesit më të lartë të pushtetit qendror të vendit.
Në takim morën pjesë: Zëvendëskryeministri i parë z. Izet Mexhiti, kryetari i Lëvizjes BESA z. Bilall Kasami, kryetari i partisë Alternativa z. Zeqirja Ibrahimi, si dhe zëvendësministri i Arsimit z. Lulzim Aliu.
Mysafirët u mirëpritën me respekt të veçantë nga kreu më i lartë i BFI-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Drejtori gjeneral i Medresesë dr. Islam Islami, Myftiu i Shkupit Dr. Qenan Ismaili, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, shefi i kabinetit Dr. Abdulkerim Iseni, sekretari i Medresesë prof. Avni Neziri, koordinatori i paraleles së vajzave Tetovë dr. Beqir Memedi, koordinatori i paraleles së vajzave Gostivar, prof. Afrim Alija dhe drejtorë të sektorëve të Rijasetit.
Kjo vizitë vjen pas miratimit të ligjit për shkollat e mesme fetare, përmes të cilit Medresesë Isa Beu i njihet statusi zyrtar dhe diplomat e saj tashmë pranohen në të gjitha institucionet akademike brenda dhe jashtë vendit. Ky është një hap i rëndësishëm për afirmimin dhe integrimin e arsimit fetar në shoqëri.
Drejtori i Medresesë, Dr. Islam Islami, si nikoqir i këtij takimi të rëndësishëm, falënderoi përzemërsisht mysafirët për vizitën dhe mbështetjen institucionale, duke e vlerësuar këtë zhvillim si një fitore për arsimin fetar dhe të rinjtë që ndjekin këtë rrugë.
Në shenjë mirnjohjeje, drejtori Dr.Islam Islami ndau plaketa me llogo të Medresesë për mysafirët, si falemderim për angazhimin e tyre në përpilimin e ligjit për akreditimin e Medresesë dhe mbështetjen institucionale.
Takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe konstruktive, duke u ndarë me mesazhe të bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë në të ardhmen.


COMMENTS