REISUL ULEMA VIZOTON MEDRESENË “ISA BEU” ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI SHKOLLOR 2025/2026

REISUL ULEMA VIZOTON MEDRESENË “ISA BEU” ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI SHKOLLOR 2025/2026

Më datë 1 shtator 2025, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, realizoi një vizitë zyrtare në Medresenë e mesme “Isa Beu” në Shkup.
Në këtë vizitë të rëndësishme, Reisi ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së, H. Irsal Jakupi, Shefi i Kabinetit, Dr. Abdulkerim Iseni, si dhe drejtorë të sektorëve të Rijasetit të BFI-së.
Delegacioni u prit përzemërsisht nga Drejtori i Medresesë, Dr. Islam Islami, së bashku me stafin edukativo-arsimor dhe administrativ të këtij institucioni arsimor me traditë.
Me këtë rast, Reisul Ulema përshëndeti stafin pedagogjik dhe nxënësit, duke i uruar për fillimin e vitit të ri shkollor. Në mënyrë të veçantë, ai uroi mirëseardhje nxënësve të rinj të vitit të parë, të cilët i vizitoi në dy paralelet e sapoformuara. Gjatë takimit me ta, Reisi mbajti një fjalim motivues, duke theksuar rëndësinë e dijes, edukimit fetar dhe përkushtimit në rrugën e Islamit.
Në fjalën e tij, ai theksoi rolin jetik që luajnë medresetë në formimin moral, shpirtëror dhe arsimor të gjeneratave të reja, si dhe përkushtimin e BFI-së për të ruajtur dhe avancuar cilësinë e arsimit islam në vend.
Vizita u përmbyll me një atmosferë të ngrohtë dhe frymë bashkëpunimi, ku u diskutuan edhe sfidat dhe objektivat për vitin shkollor që sapo ka filluar.

COMMENTS