Roli i Medresesë “Isa Beu” në edukimin e femrës

Roli i Medresesë “Isa Beu” në edukimin e femrës

M-r Nurten Shehi Sakipi
Administratore në Medresen  ‘Isa Beu’, Paralelja e shtrirë e femrave – Shkup

Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” është shkollë e orientuar profesionale dhe bën pjesë në rangun e shkollave të mesme. Gjendet në fshatin Kondovë, komuna e Sarajit. Vepron si shkollë e vetme për djem edhe për vajza në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë Veriore, me paralelet e saj në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Shtip.

Islami është i vetmi sistem që femrës i dha titull të lartë akademik. “Nëna është shkollë” nënkupton se nëna është institucion në vete për edukimin e gjeneratave. Nga kjo shprehje kuptohet se ajo duhet të jetë mirë e arsimuar, e edukuar, sepse në prehërin e saj formohet dhe edukohet qenia më e ndërlikuar në këtë botë.

Duke marrë parasysh të gjitha këto fakte dhe shumë tjera të patheksuara, jemi të detyruar të pranojmë se punën tonë që po e bëjmë nuk është as më shumë e as më pak sesa një obligim i yni fetar dhe moral, në mënyrë që këtë ndjenjë të përgjegjësisë ta bartim te gjeneratat e ardhshme që janë edukuar nëpër bankat e kësaj vatre edukativo-arsimore.

Në vitin 2006 u vendos të hapej paralelja e femrave në kuadër të Medresesë “Isa Beu”. Ishte fati i nxënëseve të kësaj gjenerate të regjistrohen në medrese të rregullta. Ishte fat edhe i profesoreshave të cilat kishin mbaruar medresenë të çrregullta që të jenë ligjëruese me mësim të rregullt.

Medreseja ka fituar besim të madh nga ana e prindërve për fëmijët tyre që janë gjëja më e shtrenjtë për ta. Fëmijët ua kanë lënë amanet në dorën e dijetareve. Ata kanë krijuar bindje se fëmijët e tyre në medrese edukohen me disciplinë dhe frymë islame. Rezultati i kualitetit të mësimit shihet në sjelljen e tyre ndaj prindërve, shoqërisë, e punës.

Sot bota ka nevojë për gjenerata të edukuara mirë në shkolla serioze. Prandaj ne ligjëruesit në këtë shkollë i kushtojmë rëndësi të madhe diturisë, mirëpo gjithashtu edhe edukatës sepse islami është fe edhe e edukimit. Njeriun e formon dhe karakterin e krijon edukata e mirë.
Në këtë shkollë nxënëset pajisen me të githa karakteristikat e lartpërmendura.
Është shumë me rëndësi besimi i prindërve në një shkollë. Në medrese ne vazhdimisht organizojmë takime me prindër, me qëllim që ta përcjellin nga afër progresin e vajzave të tyre. Prindërit kërkojnë ambient të besueshëm dhe të sigurtë. Ata dëshirojnë të ardhme sa më të mirë për fëmijët e tyre. Në këtë pikë ndërhyjnë profesoreshat tona të cilat me profesionalitet të madh e balancojnë ktë çështje duke krijuar ambient të përshtatshëm për prindërit dhe fëmijët në të nejtën kohë, duke ofruar asistencë profesionale.

Të mbash, udhëheqësh dhe kujdesesh për institucion edukativo-arsimor është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Mirëpo ne sëbashku mundohemi t’i japim hakun kësaj detyre duke i udhëzuar vajzat tona për një të ardhme të suksesshme në çdo aspekt.

Ne i përgadisim nxënëset tona për vazhdimësi në karrierë akademike. I përmbahemi sistemit edukativ të përqëndruar në vetë nxënëset. Ne mundohemi t’i mësojmë se dituria që marrin në këtë moshë, është vetëm mënyrë për të ndjekur dijen dhe më shumë në çdo sferë. I përgadisim nxënëset tona poashtu për të përfituar veçori të gjithanshme, kritike, analitike, e kreative.

Pejgamberët e dërguar nga Allahu (xh.sh.) kanë pasur detyrën e edukimit dhe shkollimit të njerëzimit. Kështu kujtojmë një thënie të profetit “Unë jam dërguar si mësues për ju”. Islami është religjion me sistem të përsosur edukativ. Ajeti i parë në Kur’an fillon me urdhërin “Lexo!”.

Ka shumë shembuj në historinë e njerëzimit ku popujt kanë vuajtur jashtë mase si rezultat i mos shkollimit të femrave të shoqërisë së tyre. Prandaj popujt e suksesshëm kanë filluar t’i shkollojnë femrat intenzivisht sikurse meshkujt. Janë vetëdijësuar se femra e pashkolluar në shoqëri ju kushton jetën e pasardhësve tjerë. Ndërsa Islami i ka mbajtur gjithmonë të barabartë femrën dhe mashkullin në edukim. Urdhëri i lartpërmendur “Lexo!” i drejtohet femrave dhe meshkujve njëkohësisht. “A janë të barabartë ata që dijnë dhe ata që s’dijnë?” Ky ajet u perkushtohet të dy gjinive. Gjithashtu pa dallim gjinie, ka urdhëruar që “Dituria është farz për çdo femër dhe mashkull.”

Gjate historisë së njerëzimit në jetën shoqërore meshkujt dhe femrat në shumicën e rasteve kanë qenë afër duke ndihmuar dhe kompletuar njëri tjetrin. Sipas Islamit, femra është anëtarja e dytë e familjes, mirëpo është gurëthemel dhe arkitekte e rendit të shoqërisë. Sepse fëmijët i marrin hapat e para të shkollimit dhe edukatës së pari nga nënat e tyre. Për ta kryer femra këtë mision dhe përgjegjësi me sukses, duhet ta mësojë fenë dhe të jetojë sipas parimeve të saja, dhe për këtë i duhet të lexojë dhe informohet gjerësisht.

Femrat si nëna lindën, rritën dhe i edukuan profetët në prehërin e tyre. Femrat si gra ishin afër dhe përkrahën profetët tanë, sikurse Hz. Hatixheja profetin Muhammed. Pejgamberi a.s. i ka dhënë rëndësi shumë shkollimit të femrës. Në kohën e tij femrat shkonin në xhami, dëgjonin ligjërata, mësonin hadithe, madje edhe bënin pjesë në tubime. Femra duhet të lexojë, të arsimohet që ta mësoje fenë e saj. Në historinë Islame duhet të dijë të drejtat që ka dhe t’i mbrojë ato. Rëndësia e këtyre mësohet në medresenë tonë në lëndë të ndryshme nga profesoreshat e medresesë.

Shkolla e mesme Islame është ardhmëria e vërtetë e popullit tonë në të gjitha aspektet jetësore, duke filluar prej anës shkencore, fetare e morale. Njohuria fetare dhe zbatimi i saj e përmbush bazën e krijimit të personalitetit të një femre të mirë. Aktiviteti i femrës në aspektet shkencore, e bën edhe më të aftë të kontribojë në shoqëri.

Medresantet kanë në dorë diturinë më të rëndësishme për jetën dhe ardhmërinë e tyre. Ndërtimi i jetës sipas të drejtës Islame do të jetë preokupim i pandërprerë që do t’i shoqërojë në të gjitha fushat e jetës. Islami dhe principet që ka janë udhërrëfyes për një jetë paqësore. Medreseja është vatra e cila i edukon femrat së pari si individ, si gra, nëna të ardhshme që do të kontribojnë për një botë më të mirë, për paqe dhe harmoni.

Femrat që dalin nga medreseja jonë duhet të shërbejnë si shembull për të gjitha femrat në shoqëri.

COMMENTS