Ekspozitë me artizanate në Çifte Hamam

Ekspozitë me artizanate në Çifte Hamam

Nxënëset e Medresesë “Isa Beu” – Paraleleja e vajzave në Shkup, me rastin e Kurban Bajramit, në lokalet e Çifte Hamam-it në Shkup, këto ditë organizuan ekspozitë artizanatesh.
Në ekspozitë, e cila tanimë është bërë tradicionale, u prezantuan punimet e nxënëseve, të cilat gjatë një viti kanë krijuar punime dore të ndryshme, piktura të shkruara me emrin e Zotit, dhe Muhamedit a.s., ushqime nga sofra dhe tradita shqiptare etj.  me tendencë që ky aktivitet tradicional, të trashëgohet edhe te gjeneratat e ardhshme, duke i ruajtur eksponentët në arkivin e shkollës, me qëllim që në jubile të ndryshme të Medresesë, respektivisht të BFI-së të prezantohet puna e gjeneratave të ndryshme të vajzave që kanë diplomuar në këtë vatër të arsimit islam.
Në këtë ekspozitë përpos drejtorit të Medresesë Prof. Ibrahim Idrizi, të pranishëm ishin edhe Dr. Fahrudin Ebibi, Dekan i FSHI-së, njëherit përfaqësues i Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi, Myftiu i Manastirit, Pllum ef. Veliu, profesorë dhe profesoresha të paraleleve të shtrira të kësaj shkolle, etj.
Në fjalën përshëndetëse drejtori i Medresesë Isa Beu, Prof. Ibrahim Idrizi para të pranishmëve shprehu falënderime për prezencën duke theksuar se:
“Kur All-llahu xh.sh., e krijoi njeriun në brendësinë e tij mbolli ndjenjën për të dashur atë që është e mirë dhe e bukur, mirëpo një dukuri nuk mund të jetë e bukur për të gjithë njerëzit njësoj, sepse njerëzit ashtu siç janë të ndryshëm, All-llahu xh.sh ka bërë edhe dallim në botëkuptimet e vlerësimit të së bukurës. Por, ka një kategori dukurish që konsiderohet e bukur nga të gjithë njerëzit, kategori kjo që është universale dhe qëndron mbi të gjitha sendet e tjera të bukura që janë relative. Kjo kategori u quajt Art.
Islami nuk e ndaloi artin, përkundrazi ai nxiti në të, po t’i hedhësh sy të kaluarës së myslimanëve që prej formimit të Sheriatit
Islam, e dëshmon fare një gjë të tillë.
Muslimanët u shquan si piktorë të mëdhenj në pikturimin e asaj që quhej natyrë e vdekur, ata zhvilluan artin e të shkruarit bukur, i dhanë rëndësi të madhe artit të arkitekturës, pastaj artit të të folurit bukur etj… Kah pjesa e dytë e shekullit XX, filloi të nxjerrë krye ndër myslimanët e Maqedonisë një art i ri dekorativ, që përdorej në ambientet dhe dhomat e mysafirëve. Ky art punohej në dorë, nga vajzat, meqë kërkonte më shumë durim. Edhe sot e kësaj dite ky art përdoret ndër shqiptarët në trajta të modifikuara. Sot, Medreseja Isa Beu – Paralelja e shtrirë e vajzave në Shkup na bëri t`i kujtojmë këto vlera tona dhe, gjithashtu dha një shenjë se arti ndër myslimanët nuk është i vdekur. Ne jemi krenar që pikërisht nxënëset tona me këtë ekspozitë që dëshmon gjallërimin e këtij arti, dhe së bashku t`i tregojmë botës, se edhe ne kemi art bile e kemi edhe traditë, se kemi kulturë të trashëguar nga të parët tanë.” – Shtoi mes tjerash Ibrahimi.
Ndërsa në fjalën e tij të rastit Dr. Fahrudin Ebibi, dekan i FSHI-së përshëndeti drejtorin, profesorët dhe të pranishmit pranishmit duke shprehur lavdata më të sinqerta për nxënëset e kësaj shkolle. Ai para të pranishmëve dhe mediave shprehu se përmes veprës së tyre po shohim shkathtësitë e tyre të shumtë dhe në shumë sfera të jetës. Por, gjithashtu nga ajo që kanë shfaqur vite me radhë na bënë krenar edhe më tej të kërkojmë përkrahjen e myslimanëve gjithandej ku janë për t’iu ndihmuar këtyre edukatoreve të popullit dhe shoqërisë në tërësi.”
Programi i hapjes së kësaj ekspozite u pasurua me shfaqje dhe ilahi të përgatitura nga nxënëset e Medresesë së vajzave “Isa beu” Shkup. Kontribut të madh dhe të pakursyer kanë për mbajtjen e kësaj ekspozite kanë dhënë të gjithë profesoreshat dhe nxënëset. Gjithashtu, vlen të theksojmë se të gjitha artezanatet e punuar janë punë dore nga vetë nxënëset dhe se të njëjtat ofrohen për t’u shitur, me qëllim që të gjitha të ardhurat nga kjo ekspozitë të dedikohen për nevojat e kësaj paralele.
[nggallery id=9]