Kur’ani dhe muaji i Ramazanit

Kur’ani dhe muaji i Ramazanit

“Ramazani është muaji në të cilin u shpall Kurani, udhëzim për njerëzimin, shenjë e qartë për të gjykuar dhe dalluar (të keqen nga e kota). Prandaj kushdo që e arrin këtë muaj le të agjërojë…” (Kuran, 2:185)

Ky ajet kuranor dëshmon, se mes Kuranit dhe muajit të Ramazanit ekziston një lidhje e pandashme. Shpallja e Kuranit Muhamed a.s. i ndodhi pikërisht këtë muaj.Me të vërtetë Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm, që ia zbriti Muhamedit a.s. për t’i treguar njerëzimit rrugën e drejtë dhe ai i cili i përmbahet Kuranit, do të jetë i udhëzuar. E kush largohet nga ai, do të jetë në një humbje të mjerueshme.Kur’ani është burimi kryesor dhe i parë i Islamit, ligji themelor i gjithë muslimanëve në tërë botën dhe për të gjitha kohët. Prandaj, s’është kurrfarë çudie pse muslimanët e arsimuar kanë dhënë shumë mund dhe kanë shkruar vepra të shumta që Kur’anin ta prezantojnë në shkëlqimin e tij të plotë, që njerëzve t’ua bëjnë më të qartë e më të kuptueshëm. Falë kujdesit dhe dashurisë së madhe të njerëzve, të cilët janë dalluar me kujdesin e tyre për ardhmëri më të mirë e më të lumtur të mbarë njerëzimit, Kur’ani qysh prej paraqitjes së tij, është ruajtur në frymën e tij origjinale.Dëshira dhe kujdesi i shumë njerëzve që Kur’ani të jetë sa më afër njerëzve, mendjes së tyre, por edhe zemrës bëri që ai jo vetëm të studiohet, por edhe të shqiptohet drejt çdo shkronjë e tij, çdo fjalë dhe fjali, duke e ruajtur edhe anën melodike të tij. Personi i parë i cili tërë jetën e vet është kujdesur që vlera e Kur’anit, si shpallje e fundit Hyjnore, të shpjegohet qartë dhe drejtë, ka qenë Muhammedi a.s. të cilit, siç dihet edhe i është shpallur Kur’ani.

Hadithe të shumta, të cilët kanë të bëjnë me leximin dhe studimin e Kur’anit, konfirmojnë se Pejgamberi i fundit ka dashur të përqendrojë vëmendjen e gjithë muslimanëve në rëndësinë e madhe të asaj mjeshtërie, e cila duhet të bëhet pjesë përbërëse e jetës së tyre të përditshme. “Kush e këndon Kur’anin me saktësi, bën pjesë në shoqërinë e melekëve të ndershëm dhe të mirë, ndërsa ai që gjatë tij (këndimit) belbëzon dhe e lexon me mundim, për këtë ka dy dhurata. Dhurata është sipas masës së angazhimit”. Në këtë hadith Pejgamberi a.s. përmend dy kategori të recituesve të Kur’anit: ata të shkathëtit të cilët këndojnë rrjedhshëm, dhe të tjerët të cilët e këndojnë me vështirësi, sepse ndoshta merren më rrallë me këtë, dhe gjatë leximit belbëzojnë. Lexues të shkathët të Kur’anit janë ata të cilët e lexojnë me urtësi pa kurrfarë vështirësie dhe secilën shkronjë, secilën fjalë dhe fjali e shqiptojnë drejtë dhe çiltër, sipas rregullave të gjuhës arabe dhe disiplinës së posaçme të Kur’anit e cila quhet texhvid.

Ashtu e ka kënduar Muhammedi a.s. Kur’anin në bazë të shpalljes së pranuar. E ka kënduar me zë, që ta dëgjojnë edhe të tjerët dhe gjithë këtë ta mësojnë. Duke e ditur se do të ketë edhe lexues të atillë të Kur’anit të cilëve edhe përkundër mundit të madh që kanë dhënë nuk do t’u shkojë për dore që Kur’anin ta lexojnë rrjedhshëm, sipas rregullave të njohura. Në hadithin e lartësuar nuk është përmendur kurrfarë dallimi në mes të lexuesit, i cili e kupton atë që e lexon dhe atij që nuk e kupton. Prej kësaj lehtë mund të përfundojmë se këtu qëllimi kryesor është nxitja e besimtarëve që të shoqërohen me Kur’anin sa më tepër nëpërmjet leximit, sepse kjo është një prej mënyrave të shumta edhe për mbajtjen e lidhjes me All-llahun xh.sh. Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin vetë dhe që ua mëson tjerëve”.

Siç duket, kuptimi i këtij hadithi përmban udhëzimin që Kur’anin jo vetëm ta mësojmë ta lexojmë, t’i shqiptojmë drejt fjalët, por edhe ta studiojmë, respektivisht gjithë këtë duhet ta bartim edhe te të tjerët, sepse kjo nuk guxon të stagnojë. Vetëm njerëzit e tillë meritojnë të jenë ndër më të mirët. Në këtë normalisht, nuk mund të ketë sukses secili person, mirëpo secila bashkësi islame medoemos të ketë numër të konsiderueshëm njerëzish të tillë, dhe atë në secilën gjeneratë. Mund të thuhet pa e tepruar se kjo është pjesë përbërëse e jetës së vërtetë islame dhe lënia pas dore e këtij obligimi nuk do të mund të arsyetohet me kurrgjë. Muhamedi a.s. thotë: “Njerëzit më të ndershëm ndër pasardhësit e mi janë hafizat e Kur’anit dhe ata të cilët natën i bëjnë ibadet All-llahut xh.sh.”. Me këto fjalë Pejgamberi a.s. jep vlerësimin për njerëzit të cilët e dinë Kur’anin përmendësh, si dhe për ata të cilët i bëjnë Allahut ibadet në kohën kur këtë rrallë kush e bën. Për këto dy kategoritë e njerëzve të tillë Muhamedi a.s. thotë se janë të ndershëm, shembullor dhe të dalluar. Ata të tillë janë edhe te Allahu dhe te njerëzit e tjerë. Nga ana e Allahut ata sigurisht shpërblehen me dhurata, kurse te besimtarët e ndershëm ata janë të respektuar, të çmuar dhe atyre secili mund t’u ketë lakmi. Në këtë hadith Muhamedi a.s. ka dëshiruar të tërheq vëmendjen e besimtarit në rëndësinë dhe dobinë e shoqërimit me Kur’anin, si dhe në ibadetet për Allahun xh.sh. kur të tjerët flenë. Ky shërbim në këtë kohë është një prej argumenteve më të qarta të nënshtrimit të thellë dhe të sinqertë dhe dashurisë ndaj Allahut. Ky është një besim i pa përshkruar në Zotin dhe në atë se veprat e këtilla dhe gjithë ky flijim nuk mund të lihet në harresë, asnjë vepër e mirë në asnjë rast nuk mund të jetë e pashpërblyer. “Një prej veprave më të dashura te Allahui është leximi i Kur’anit”.

Me një rast tjetër Muhamedi a.s. ka dhënë një deklaratë gati identike kur ka thënë: “Një prej veprave më të dashura te Allahu për pasardhësit e mi është leximi i Kur’anit”. Në të dy këto hadithe Pejgamberi a.s. përkujton besimtarin në leximin e Kur’anit dhe atë për shkak se ky lexim është një prej shumë veprave të mira, përkatësisht prej më të mirave nëpërmjet të të cilave njeriu bëhet një prej pasardhësve të mirë të Islamit. Me leximin e Kur’anit, ai veten e radhit në shoqërinë e të dashurve të Allahut të cilët do të kenë dhurata të begatshme dhe ata janë në kujdesin e posaçëm të Allahut xh.sh.. Këto hadithe bëjnë pjesë në deklaratat më të qarta të Pejgamberit a.s. që flasin për rëndësinë dhe vlerën e leximit të Kur’anit dhe përmbajtja e tyre ofron mundësi që secili besimtar të dëshmohet si njeri i mirë dhe i devotshëm, i cili dëshiron që edhe në këtë mënyrë t’i afrohet Allahut dhe të fitojë dashurinë dhe mëshirën e Tij. “Këto zemra me të vërtetë mund të ndryshken, sikurse ndryshket hekuri kur laget në ujë”. E si do t’i pastrojmë, o Pejgamber i Allahut?- pyeti dikush. “Nëse shumë mendojmë për vdekjen dhe nëse lexojnë Kur’an”  u përgjigj Muhamedi a.s.

Në jetën dhe punën e vet secili njeri u është ekspozuar ndikimeve të ndryshme të mjedisit në të cilin jeton, në të cilin lëviz dhe punon, me të cilin komunikon, prej të cilit varet. Ato ndikime nuk janë asnjëherë vetëm pozitive, të dobishme, por jo rrallë janë të dëmshme, të kobshme. Ndikimet e dobishme dhe pozitive në shpirtin dhe në zemrën e njeriut nuk janë asnjëherë dhe për askënd të tepërta. Ato janë gjithnjë të mirëseardhura, për secilin pa marrë parasysh bile edhe moshën e tij. Ndikimet negative të shoqërisë gjithnjë janë të rrezikshme, sikur të jenë edhe të vogla, të rralla, sikur ne edhe të mos të ishin të vetëdijshëm. Si të tilla, doemos duhet t’iu shmangemi, sepse ato shpesh depërtojnë në shpirtin tonë në mënyrë perfide, por gjithnjë dëmshëm ndikojnë në sjelljen tonë. Ato gradualisht na sundojnë neve, e ndryshojnë moralin tonë, qëndrimin ndaj vetvetes, sidomos ndaj të tjerëve. Ndikimet pozitive të shoqërisë duhet gjithnjë t’i kërkojmë dhe t’i çmojmë, kurse atyre negative gjithnjë t’u shmangemi dhe kurrsesi mos u nënçmojmë. Në këtë angazhim dhe luftë duhet të rrjedhë dhe të përfundojë jeta e secilit besimtar të vërtetë, me bindje të plotë se për vetveten nuk jemi të mjaftueshëm e as të aftë që të jemi në nivel, të jetojmë dhe të vdesim të drejtë dhe të ngritur. Duhet, po ashtu, të jemi të vetëdijshëm se ndikimi negativ i mjedisit gjithnjë është prezent, dhe se forcat tona janë të pamjaftueshme që t’i kundërvihemi me sukses. Pikërisht atë kuptim kanë fjalët e Pejgamberit a.s.: “këto zemra me të vërtetë mund të ndryshken…” Muhamedi a.s. këtë e paraqet në mënyrë shumë metaforike dhe zemrën e krahason me hekurin, kurse ndikimet e dëmshme me të ndryshkurit nga uji. Kjo shprehet në ashpërsinë, egoizmin, pandjeshmërinë, përtacinë, panjerëzinë dhe në përgjithësi në paraqitjen e cilësive tjera të ndryshme negative para të cilëve turpërohet dhe rrëqethet secili besimtar i ndershëm, i drejt dhe shpirtërisht i fuqishëm. Gati nuk është e nevojshme të përmendet kjo e ndryshkur e zemrave se sa e dëmton dhe nënçmon, kushdo qoftë.

E kur është pyetur për ilaç, shërim dhe shpëtim nga gjendja e këtillë e rëndë, Pejgamberi a.s. me gatishmëri rekomandon që njerëzit të mendojnë shumë për vdekjen e tyre dhe të lexojnë Kur’an. Qëndrimi i shumicës së njerëzve ndaj vdekjes ka qenë gjithnjë i kundër prej atij që duhet, të nevojshmit dhe të dobishmit. Shumica e njerëzve vdekjen nuk e mendojnë asnjëherë ose shumë rrallë, shumica i frikohen edhe të menduarit se një ditë do të vdesin, e disa ky mendim i pengon në vullnetin e tyre për punë, jetojnë dhe flasin sipas logjikës së tyre. Qëndrimi i tillë ndaj vdekjes është tragjik për secilin, sepse vdekja është më se e sigurt dhe ardhjen e saj. Dhe, pikërisht për këtë besimtari i mençur duhet sa më shpesh ta kujtojë vdekjen. Kjo do t’i sjellë vetëm dobi, asnjëherë nuk e dëmton. Kjo sigurisht do t’i lirojë nga kurthi i jetës dhe do t’i bindë se është e vlefshme të jetosh në pajtim vetëm me ligjin e Zotit. Shkurtimisht, të kujtuarit shpesh vdekjen është ilaç kundër ndryshkjes së zemrave.

Leximin e Kur’anit Muhamedi a.s. e rekomandon si ilaçin e dytë kundër ndryshkjes së zemrës së njeriut. Ky është ilaç i posaçëm hyjnor, sepse ai është udhëzim, mësim, këshillim. mëshirë, rrugë e drejtë, vërejtje për të gjithë që kanë zemra dhe ndenja. Kur’ani është udhëzim për të devijuarit, mësim për të mençurit, këshillë për të pa udhëzuarit, po ashtu mëshirë dhe rrugë e drejt për ata që janë pa përvoje dhe moralisht të devijuar. Kur’ani është ilaç dhe ngushëllim, ai nxit në meditim, i zgjon dhe forcon ndjenjat më fisnike, i shëron zemrat e ndryshkura, gjegjësisht pengon që të bëhen të atilla. Kur’ani është shpresë dhe ngushëllim, ushqim shpirtëror dhe ilaç njëkohësisht. Për shkak Pejgamberi fisnik e rekomandon si mjet të sprovuar për ngritjen morale dhe shërim shpirtëror të të gjithë njerëzve. Sa më parë dhe sa më vigjilentë të jemi, aq më tepër do të jemi të fuqishëm dhe më të ngritur me karakter, më fisnik dhe moralisht më të qëndrueshëm. Atëherë ndryshkja e zemrave do të jetë larg nesh, sepse do të jemi njerëz të vërtetë me plot kuptimin e fjalës. “Shumë mirësi ka në një shtëpi ku lexohet Kur’ani, kurse pak aty ku nuk lexohet”. Ky hadith paraqet edhe një stimulim për besimtarët që të merren me leximin e Kur’anit. Sepse, Kur’ani është mirësi e plotë, dobi e pakufishme, begati e madhe të cilën duhet ta ketë secila shtëpi muslimane. Para se gjithash, ky është motiv me rëndësi që në familje të ketë harmoni, respekt, punë të përbashkët dhe organizim për të mirën dhe përparimin e të gjithëve.

Secili pronar i ndërgjegjshëm i familjes është i obliguar të angazhohet që në shtëpinë e tij vazhdimisht të sundojë fryma kur’anore edhe të gjithë të jetojnë sipas Islamit të vërtetë, ashtu si e përshkruan Kur’ani. Kur’ani lexohet në një shtëpi muslimane, nëse aty të gjithë anëtarët e rritur falen, sepse nuk ka namaz në të cilin nuk lexohet Kur’an. Dhe përkundrazi: nëse në shtëpinë e tillë nuk falet, Kur’ani nuk është aspak i përfaqësuar, kjo është familje shumë e dobët muslimane, dhe në të nuk ka mirësi. E për një gjë të tillë do të jenë fajtorë dhe përgjegjës para Zotit, më së shumti prindërit, para të gjithëve baba. Prindërit, para gjithë të tjerëve, duhet gjithnjë dhe me sukses të kujdesen që në shtëpinë e tyre gjithnjë të ketë shumë mirësi, që gjithë anëtarët të jetojnë në kënaqësinë e zotit, sepse vetëm mënyra e tillë e jetës është e frytshme dhe shpëtimtare. “Cilido musliman që shkon në shtrat dhe lexon ndonjë sure nga Kur’ani, All-llahu i Lartmadhëruar do të caktojë mbi të një melek që ta mbrojë që mos i afrohet kurrgjë shqetësuese, derisa mos zgjohet”. Nuk është vështirë që në këtë hadith ta hetojmë dëshirën e sinqertë dhe të flaktë të Pejgamberi a.s. që leximi i Kur’anit të kultivohet, për shkak se kjo bie pushim të qetë dhe të sigurt gjatë natës, aq të nevojshëm për vazhdimin e jetës dhe punës së përditshme. Çka donë të thotë gjumë i rehatshëm, mund të thonë vetëm ata që aq shumë e kërkojnë. E Muhamedi a.s. edhe për këtë rast na rekomandon Kur’anin si mjet të sigurt për qetësim, pa të cilin nuk ka as pushim e as punë të suksesshme. Muhamedi a.s. ka thënë: “Lexoni Kur’an, sepse ai në Ditën e Gjykimit do të paraqitet si ndërmjetësues për faljen e gabimeve ndaj tyre që e kanë lexuar!” Edhe në këtë hadith Muhamedi a.s. rekomandon leximin e Kur’anit dhe këtë rekomandim e arsyeton me fjalët se Kur’ani në botën e ardhshme do të jetë në rolin e ndërmjetësuesit për faljen e gabimeve recituesve të tij, të cilët diçka gabojnë në këtë botë. Kur’ani pra, atëherë do të paraqitet si mbrojtës dhe shpëtues prej dënimit të rëndë, sepse këtë njerëzit e këtillë e kanë merituar. Kur’anin si libër është shpëtim për të gjithë njerëzit në të dy botët.

Për këto shkaqe duhet ti kushtojmë rëndësi kuranit sikurse në lexim ashtu edhe në mësimin e tij përmendësh dhe praktikimin e tij.

Allahu na bëftë prej atyre që e lexojmë Kur’anin dhe e praktikojnë atë.

 

Prof. Hfz. Xhejlane Nexhipi

SHMI “Medreseja Isa Beu” Paralelja e vajzave Shkup

COMMENTS