Prof. Ibrahim Idrizi.
Tirania, dhuna, robëria, krimi etj., janë e vërtetë dhe realitet i kohës në të cilën jetojmë dhe dëshmi se te njeriu janë ngjallur elementet shtazarake dhe se ai është larguar prej asaj që quhet njerëzi dhe humanizëm. Ajo që njeriun e bën njeri dhe i jep tipare njerëzore, në dallim nga ajo shtazarakja, është dimensioni shpirtëror i vlerave morale-etike, që e bën atë të lirë, human dhe anëtar të dobishëm të bashkësisë njerëzore. Cilësi e njeriut është synimi për t’i pajtuar elementet e kundërta në vetvete, përkatësisht për ta mbajtur ekuilibrin e nevojave shpirtërore e materiale.
Gjendemi në një kohë përplot tmerre, kohë të cilën e ka kapluar errësira, në një kohë kur njeriu e ka lënë në harresë dhe ka shkelur identitetin e tij njerëzor. Kur ai më nuk i çmon vlerat e veta shpirtërore-morale, ato i lë dalëngadalë të shkatërrohen, në njërën anë, dhe me veprat e veta formale, veshur me negativitetet dhe e materializmit hipokrizinë bashkëkohor, mundohet të vërtetojë se kjo që e bën ai është ”njerëzi” dhe “përparim”, në anën tjetër. Ky konstatim, shikuar nga këndi i të vërtetës, është thjeshtë absurd, ngase realiteti praktik flet diç tjetër. Kjo që e bën njeriu bashkëkohor nuk është as njerëzi e as përparim, por diç jonjerëzore, amorale etj.
Nuk është vështirë që, tashmë, haptazi të thuhet e të pranohet se synimi i njeriut kah materializimi i gjërave dhe vendosja e tij në interesat materiale, atë e ka degraduar plotësisht dhe e ka vënë në një shkallë barabar me shtazët. Bile, ndoshta, e ka vënë në një shkallë edhe më të ulët se ajo e shtazëve, ngase çdo shtazë mundohet që në mënyrën e vet ta mbrojë gjininë e saj. E, ç‘po ngjet me njeriun, i cili mundohet që më tepër të mbrojë e të respektojë shtazët, e gjërat tjera, sesa gjininë njerëzore, së cilës edhe vetë i takon.
E, të mos flasim për diferencimet në bazë të përkatësisë nacionale ose fetare, ku njeriu për njeriun është bërë “mjet për lojë” dhe, nëse i jepet rasti, e shqyen me dhëmbë tjetrin; me fjalë të tjera, njeriu është bërë objekt manovrimesh, objekt shkeljesh dhe nishan për të gjuajtur.
Mospërfillja e vlerave shpirtërore dhe shkatërrimi i të njëjtave, në njërën anë, dhe përfillja e vlerave materiale si vlera më të larta, në anën tjetër, dukshëm e kanë vendosur njeriun para një sërë dilemash dhe e kanë sjellë në një qorrsokak nga i cili është shumë vështirë të dilet, veçanërisht prej asaj që është pa ndiesinë njerëzore. Ky është një realitet, e vërteta e kësaj shoqërie bashkëkohore. Këtë realitet të shkatërrimit të vlerave shpirtërore- morale në shoqërinë bashkëkohore, me të drejtë mund të themi, e përjetojnë ata të që kanë vlera shpirtërore e morale për një humanizëm të lartë e të vërtetë njerëzor.
Më e keqja është, sipas mendimit tonë, se të gjitha këto dukuri negative e amorale, të cilat e karakterizojnë jetën e njeriut të sotëm, kanë fituar statusin e dukurive progresive, sepse nga vetë kundërshtimi i vlerave shpirtërore dhe të liruarit nga obligimet themelore morale-etike, lë të kuptohet kinse është kërkim themelor i mendimeve përparimtare bashkëkohore. Pra, gjithnjë e më tepër kjo bëhet evidente kur e kemi parasysh sjelljen vulgare e shtazarake të njeriut bashkëkohor. E gjithë kjo, si sjellje negative e njeriut bashkëkohor, është si pasojë e mungesës së vlerave shpirtërore-morale, përkatësisht atij i mungon ai dimensioni i cili e lidh me botën e lartë, atë absolute, njerëzore, në të cilën njeriu gjen kuptimin e ekzistimit të vet. Këtë mungesë njeriu bashkëkohor dita-ditës, gjithnjë e më tepër, po e ndjen. Prandaj dhe konstatim se vetë materia, vetë ekzistimi i tij si trup, nuk mjafton që t’i qetësojë dhe t’i plotësojë nevojat e ekzistimit te tij. Pra, njeriu nuk është vetëm qenie fizike, por edhe qenie shpirtërore. Ajo që e bën atë njeri nuk është materia, por vlerat e tij më të larta shpirtërore, të cilat nuk guxon t’i lërë pasdore e t’i shkatërrojë, por duhet t’i zhvillojë dhe të përkujdeset për to me vëmendje të madhe.
Nga e gjithë kjo që përmendëm, me të drejtë mund të themi se njeriut i nevojitet një shpëtues, me ndihmën e të cilit do të mund t’i luftojë elementet shtazarake që i përmendëm më lart, në vetë qenien e tij. Pa dyshim, shpëtues dhe ndihmës i tij më i mirë është feja. Nëse i bëjmë një vështrim historisë, do të shohim se feja ka qenë ajo që i ka ofruar ndihmë njeriut në momentin më të ngushtë, në kohën më të vështirë, i ka bërë dritë kur jeta e tij ka qenë në errësirë; ia ka treguar rrugën e shpëtimit, kur ai ka qenë i humbur. Feja ka dhënë kontribut të madh për humanizimin e njeriut, kështu që të gjithë njerëzit duhet t’i jenë mirënjohës. E gjithë ajo që është e mirë, njerëzore dhe bujare në ne, është fryt i fesë. Edhe pse shumica e njerëzve, materialistët posaçërisht, u munduan që me verbimin e tyre shpirtëror dhe duke u mbështetur në materien t’ia mohojnë fesë këto – çka është edhe më turp, e shpallën “opium të popullit” – e vërteta mbeti gjithmonë e vërtetë, ngase ata që e akuzuan, që i vunë lloj-lloj etiketash fesë, dështuan; ngase, idetë e tyre u bënë opium për vetë ata që i proklamonin ato.
Lufta për edukimin dhe formimin e njeriut ende nuk ka mbaruar. Një luftë e këtillë zhvillohet edhe sot e kësaj dite dhe do të vazhdojë derisa të ekzistojë vetë njeriu. Kjo tashmë është aktuale, ndoshta më aktuale se kurrë më parë, sidomos sot kur njeriu bashkëkohor mundohet që me etiketën e drejtësisë dhe të demokracisë të proklamojë epërsinë nacionale ose fetare, që është shkelje flagrante e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky është degradim i dinjitetit të njeriut. Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve të cilat na tregojnë se ndjenjat shtazarake te njeriu përsëri po zgjohen dhe në shumë manifestime të jetës vijnë në shprehje. Tirania, dhuna, robëria, krimi etj. janë e vërtetë dhe realitet i kohës në të cilën jetojmë dhe dëshmi se te njeriu janë ngjallur elementet shtazarake dhe se ai është larguar prej asaj që quhet njerëzi dhe humanizëm. Ajo që njeriun e bën njeri dhe i jep tipare njerëzore, në dallim nga ajo shtazarakja, është dimensioni shpirtëror i vlerave morale-etike, që e bën atë të lirë, human dhe anëtar të dobishëm të bashkësisë njerëzore.
Cilësi e njeriut është synimi për t’i pajtuar elementet e kundërta në vetvete, përkatësisht për ta mbajtur ekuilibrin e nevojave shpirtërore e materiale.
Nisur nga ky aspekt, edhe Islami, si mënyrë e jetesës, themeluar mbi vlerat e larta shpirtërore-morale, nuk anon që ta nxjerrë njeriun nga natyra e tij njerëzore. Islami gjithmonë ten- ton që përmes instancave dhe parimeve të veta, të themeluara mbi besimin për Allahun Fuqiplotë, ta aftësojë njeriun që të mund ta harmonizojë drejt natyrën e tij njerëzore dhe mundshmëritë krijuese – zbuluese në ligjet dhe rregullin e Allahut xh.sh. të vendosur në natyrë, respektivisht ta harmonizojë vullnetin e vet të pjesërishëm me vullnetin e përgjithshëm të Allahut xh.sh.
Më në fund, duke filluar nga njeriu si njeri, me plotkuptimin e fjalës, duke pasur parasysh misionin, pozitën dhe të kuptuarit e tij, qëllimi kryesor i Islamit është ta orientojë atë drejt realizimit të vetive njerëzore e humane në jetën e përditshme të bashkësisë, ku të gjitha marrëdhëniet njerëzore fillojnë me respektimin e dinjitetit të njeriut dhe kanë për qëllim afirmimin moral- etik të tij si qenie më e vlefshme. Në anën tjetër, ndërkaq, materializmi bashkëkohor për qëllim dhe synim ka realizimin e vlerave të ulëta materiale-shtazarake, duke mos kursyer asgjë për realizimin e qëllimeve të veta, bile as njeriun. Është e vlefshme të përmendim se marksizmi, përmes ateizmit, dëshiroi të shpallte njëfarë humanizmi të vërtetë. Është e kundërta, pra: humanizmi i vërtetë e i drejtë fillon nga vetvetja, e jo nga mospërfillja e vlerave morale- shpirtërore dhe nga kritikat ndaj Zotit.