535 vjet Medrese

“Gjatë këtyre 535 viteve medreseja ‘Isa Beu’ ka mbrojtur vlerat kulturore dhe fetare të muslimanëve dhe i ka ushqyer ata me atë që nuk blihet dot as me flori, dituri!”, ka thënë për “Zhurnal” drejtori i saj Ibrahim Idrizi

Në rrethana të vështira, në vitin 1984 pas shumë peripecive, përpjekjeve, endjeve nga zyra më zyrë, dëshira e flaktë e muslimanëve dhe e prijësve fetarë që u edukuan në qendrat më eminente islame deshën që të sjellin edhe në vendin tonë një shkëndijë drite. Duke ditur mirë pozitën e diturisë në Islam,  që nuk dallon shumë nga obligimet tjera parësore të kësaj feje dini dhe nuk gabojmë nëse themi se është njëra prej shtyllave dhe shkaqeve që e solli flamurin çlirimtar të fjalës së Zotit deri në trojet tona, ishte faktori kyç që vuri themelet e Medresesë. Funksioni i medresesë dallonte shumë nga funksioni i shkollave tjera të mesme,  të cilat funksionimin dhe planprogramin e tyre i kishin të censuruara nga pushteti. Tentativa të tilla shteti mundohej të bënte edhe me medresenë, por orientimi i saj profesional sadopak e kufizonte ndikimin e politikës aktuale. Deri në vitin 1991 i tërë funksioni bazë i medresesë nuk mund të shprehej qartë dhe me fjalë lirshëm nga profesorët dhe udhëheqësit,  por prapëseprapë tërthorazi shkonte në vend.

Funksioni i medresesë ishte vetë fjala e Allahut,  ku Ai në fjalën e parë të Tij të shpallur tha “Lexo, në Emër të Zotit tënd i cili krijoi” (Alek 1). Gjithashtu edhe ajeti tjetër,  ku thotë:  “Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në dituritë fetare, që t’ia tërheqin vëmendjen popullit të vet kur të kthehen,  ashtu që populli i tyre të kuptojnë.” (Tevbe, 122) Funksioni themelor i Medresesë ishte ruajtja e fesë së Allahut nëpërmjet edukimit dhe arsimimit të drejtë islam,  duke mos anashkaluar këtu edhe mbrojtjen e vatanit dhe kombit si detyra që Feja dhe Medreseja ua ka mësuar gjatë gjithë ekzistimit të vet nxënësve të saj,  nëpërmjet të cilëve do bëhej vetëdijesimi i popullit për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave autoktone historike kombëtare dhe fetare.
Medreseja “Isa Beu” u themelua me qëllim të edukimit të popullit,  që do t’i shërbente popullit.

“Isa Beu,  i biri i Is’hak beut, kur e themeloi Medresenë la edhe vakëfe të saja,  që do shërbenin për mirëmbajtjen e Medresesë, Xhamisë dhe Bibliotekës, që u themeluan mbi V shekuj. Nga kjo shumë qartë shihet se qëllimet e Medresesë do të rrjedhin nga vetë qëllimi i themeluesit të saj që atë e bëri institucion të popullit dhe për popullin, institucion i cili do funksiononte nga vetëkontributi i popullit,  që me anë të shfrytëzimit të vakëfit do paguanin për nevojat e kësaj qendre shkencore, që më vonë frytet e kësaj vatre t’i shërbenin vetë popullit”, Ibrahim Idrizi, drejtor i medresesë “Isa Beu” në Shkup.

Gjatë jetës së vet medreseja “Isa Beu” ka pushuar së punuari disa herë e shkatërruar nga sundimtarë e okupatorë të ndryshëm zullumqarë, por vazhdimisht ka arritur ta ruajë identitetin e vet dhe autenticitetin të cilin e merr nga fjala e fundit e Perëndisë.

“Gjatë historisë medreseja ‘Isa Beu’ ka pushuar së punuari disa herë,  e shkatërruar nga sundimtarë e okupatorë të ndryshëm zullumqarë, por vazhdimisht ka arritur ta ruajë identitetin e vet dhe autenticitetin të cilin e merr nga fjala e fundit e Allahut (xh. sh.),  që lë të nënkuptosh se kjo medrese ishte vetëm vazhdimësi e institucionit të parë të dijes dhe arsimimit që Muhamedi (a. s.) e themeloi vetë, Xhamisë së tij në Medine. Edhe pse dallimi duket i madh në shikim të parë,  realiteti qëndron në atë se Xhamia e Pejgamberit me të vërtetë luante rolin jo vetëm të një xhamie dhe shkolle po edhe të gjyqit, parlamentit,  gjë që Medreseja e bënte gjithashtu duke i mësuar nxënësit si të sillen në xhami, se themelimi i shkollave është sadakaja më e madhe, si të bëheshin gjykatës, si të arrijnë në parlament,  deri në poret më të imëta të jetës njerëzore. Ky ishte qëllimi i parë i Medresesë,  i cili qëllim vazhdon të jetë aktiv edhe sot në botën moderne- përcjellja e fjalës së Allahut drejt dhe pa shtrembërime masës së gjerë”, shprehet drejtori Idrizi.

Njësoj sikurse dje atëherë,  edhe sot qëllimi i Medresesë është po ky, edhe pse ndoshta nga forma mund të duket ndryshe,  prapë esenca është e njëjta, përgatitja e nxënësve për profesionin e tyre të ardhshëm. Qëllimi kryesor dhe me të cilin është themeluar kjo shkollë është që të prodhojë kuadro profesionale,  të cilat do ta mbajnë në duar zhvillimin e jetës fetare në këto troje e më gjerë, gjë që është arritur deri në ditët e sotme.

Gjatë 535 viteve kontributi i Medresesë ka qenë mjaft i madh, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se në kohën e Shtetit Osman ajo ka qenë shkollë kryesore, vatër arsimore dhe referencë e Rumelisë për çështjen e arsimit, ndërsa më vonë nga BFI, thotë drejtori i Medresesë, bëhet shtyllë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe e zhvillimit në të gjitha sferat jetësore.

“Në të kaluarën Medreseja ka prezantuar institucionin më të lartë arsimor në këtë vend dhe njihej si shkollë më me famë në Rumeli (Ballkan). Kontributi i Medresesë gjatë këtyre 535 viteve ka qenë mjaft i madh,  veçanërisht duke pasur parasysh faktin se në kohën e Shtetit Osman ajo ka qenë shkollë kryesore, vatër arsimore dhe referencë e Rumelisë për çështjet e arsimit. Më vonë,  pas largimit të osmanëve,  kontributi i Medresesë është shtuar sa i përket çështjes kombëtare. Për popujt e strehuar në kapërcyellin e Ballkanit, Medreseja bashkë me Bashkësinë Fetare Islame ka qenë shtylla dhe mbështetja kryesore e identitetit fetar që asnjëherë nuk e ka nëpërkëmbur atë kombëtar po bile edhe e ka ngritur, duke i ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar të gjitha ato vlera kulturore dhe artistike të çdo kombi që nuk bien ndesh me bindjen fetare”, shprehet ai, duke shtuar: “Gjatë këtyre 535 vjetëve Medreseja ka mbrojtur vlerat kulturore dhe fetare të muslimanëve dhe i ka ushqyer ata me atë që nuk blihet dot as me flori, Dituri!”.

 

Ish-nxënësi dhe aktualisht myftiu i Shkupit, Ibrahim ef. Shabani,  lidhur me këtë institucion arsimor kështu u shpreh: “Medreseja Isa Beu është njëra nga akademitë më të mëdha që njeh Shteti Osman në historinë e vet dhe si e tillë ajo paraqiste qendrën e dijës në të kaluarën, ndërsa tani është simbol i shkencës, kuadrove dhe suksesit.

Prodhimi i kuadrove të kësaj shkolle dhe përgatitja e tyre intelektualo-akademike ka bërë që sot shumë prej tyre t’i shërbejnë muslimanëve, vatanit dhe perspektivës qytetare. Tradita dhe historia e Medresesë Isa Beu nuk na flet vetëm për një shkollë, por edhe për një shtëpi të madhe,  ku kontributi i saj përveç që ka qenë në aspektin e dijes, ajo ndihmonte popullin musliman në mënyra të ndryshme gjithandej ku jetojnë në Ballkan përmes organizimeve të ndryshme, duke u mundësuar që shumë të rinj të kryejnë këtë shkollë dhe pastaj të shërbejnë nëpër vendet si Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Mal të Zi etj.”

 

“Medreseja Isa Beu në Republikën e Maqedonisë është një çerdhe ku edhe unë kam patur rastin që të ushqej veten si kulturalisht, edukativisht, ashtu edhe kombëtarisht e fetarisht. Medreseja Isa Beu në Shkup, për popullin musliman në përgjithësi e atë shqiptar në veçanti, paraqet burimin e inspirimit për vlerësimin dhe ruajtjen e vlerave popullore fetare dhe kombëtare në këtë nënqiell. Ky institucion kulturor është vendi në të cilin historia jonë gjenë freskinë, e tashmja kap kuptimin dhe thelbin e aksionit dhe veprimit, kurse e ardhmja përgatitet për suksese edhe më të mëdha për të dalë faqebardhë në këtë dhe në botën e ardhshme-ahiret.

Nga ajo që unë kam arritur të mësoj nga ky institucion fetar, si dhe nga profesorët e mi shumë të nderuar, është vlerësimi i të shenjtës, i vetvetes, i tjetrit, i kohës etj. Medreseja është bartëse e shumë aktiviteteve kombëtare dhe demokratike në këtë vend, sikur që është organizimi i Simpoziumit “Shqiptarët e Maqedonisë”. Medreseja ka mbushur dhe vazhdon të plotësojë një zbrazëtirë shumë të madhe historike të këtyre trojeve, të cilën zprazëtirë e kanë shkaktuar ndryshimet e mëdha si politike, ashtu edhe ato ideologjike në Gadishullin Ballkanik. Mungesa e këtij institucioni fetar, kombëtar e kulturor do të na linte sakat në shumë dimensione të përgatitjes,  si individuale ashtu edhe shoqërore”- shprehet ish-nxënësi i Medresesë Isa Beu, prof. dr. Qani Nesimi, aktualisht ligjërues në Universiteti Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Filozofik.

Një nga kuadrot që ka dalë nga vatra e medresesë, ndërsa sot profesor i kësaj shkolle të madhe- Lutfi Nexhipi, thekson:  Jeta ime ishte e pakuptimtë derisa e përmbusha shpirtin tim me nektarin e dijes së Medresesë. Nektari i vetëm që e ëmbëlson qenien njerëzore quhet Islam. Ky ishte nektari i vetëm që e ëmbëlsonte qenien time.

 

Jeta ime ishte e pakuptimitë pa të, edhe pse shumë pak dija nga jeta. Nuk ishin ato ditë si ditët e sotme, kishte ndryshime të mëdha ku ky nektar konsumoheshte në mënyrë të fshehur nga regjimi i atyre ditëve. Unë desha që të bëhem pjesë e asaj koshere të mbushur me nektar dhe mu mundësua që të arrij atë. Ajo atë kohë quhej: Medreseja “Isa Beu”,  duke shtuar “ ky insitucion është vatra e vetme në vendin tonë që rrezaton Islamin, pasqyron dhe vazhdon të pasqyrojë Islamin në mënyrën më të qartë dhe më të kristaltë”.

Që nga fillimi në Medresenë “Isa Beu” Shkup, punojnë profesorë me përgatitje profesionale adekuate, shumica e profesorëve arsimimin e kanë marrë nga qendrat më eminente të botës islame si Kajro, Damask, Bagdad, Medine, Jemeni, Turqia po edhe nga qendrat cilësore të Ballkanit si Sarajeva, Shkupi etj.

Evzal Sinani, kryetar i Shoqatës së nxënësve të Medresese dhe kryeredaktor i revistës “IKRE” thotë se detyrë  parësore e Shoqatës së nxënësve është mbrojtja e të drejtave shprehëse të nxënësve.
“Shoqata e nxënësve pranë SHMI ‘Medreseja Isa Beu’, si detyrë parësore ka mbrojtjen e të drejtave shprehëse e kërkesave të nxënësve krahas Drejtorisë së Shkollës. Urë lidhëse kjo që do të ishte gjithnjë aktive në ndihmesën e udhëheqësisë për mbajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e jetës në Medrese”, tha Evzal Sinani, kryetar i Shoqatës së nxënësve.
Shoqata e nxënësve pranë SHMI “Medreseja Isa Beu” në gjirin e vet ka edhe tre këshille apo reparte që funksionojnë në kuadër të saj dhe merren me aktivitetet në fushën e caktuar: këshilli letrar, këshilli për sport, këshilli për aktivitete tjera, sekretarin si dhe arkëtarin.

 

Ndërkaq, revista “Ikre” e cila që prej vitit 1993 botohet nga Shoqata e Nxënësve, organizon aktivitete të ndryshme si kuizet për matjen e diturisë brenda Medresesë, por edhe jashtë saj me shkollat tjera të mesme, organizime sportive që kanë përfaqësuar denjësisht Medresenë dhe aftësitë e nxënësve të saj që kanë ndihmuar sadopak në ngritjen e vlerave të kësaj shkolle.
Revista “Ikre” është revistë fetare që diskuton kryesisht problematikat e të rinjve. Është revistë tre gjuhësore që përkon me statusin e Medresesë si shkollë tre gjuhësore. Të gjitha temat në këtë revistë punohen nga vet nxënësit.

 

Plan-programi i Medresesë parasheh që nxënësit për katër vite të mësojnë 30 lëndë, ndërsa për ngritjen ideore dhe përgatitjen profesionale të nxënësve plan-programin mësimor në të gjitha paralelet, duke përfshirë ato rajonale në Tetovë, Shkup , Shtip dhe Gostivar e realizojnë 75 profesorë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 25 me kontratë në vepër.  Gjithsej numri i mësimdhënëse është 100 profesorë.

 Medreseja “Isa Beu” deri më ditët e sotme,  përpos Maqedonisë, ka nxjerrë mjaft kuadro si nga Shqipëria, Kosova, Presheva, Bullgaria, Bosnja  e Sanxhaku, diaspora etj., dhe se këtë kuadër sot mund të takosh si udhëheqës të sektorëve të ndryshëm në BFI, Myfti, udhëheqës institucionesh, profesor dhe ligjërues në Univerisitete dhe Fakultete të ndryshëm të shkencave Islame dhe shkencave shoqërore (filozofinë, artin, sociologjinë, juridikun etj.), drejtorë dhe zv-drejtorë të institucioneve shtetërore, ambasador etj. Dhe,  se i tërë ky rezultat dhe e arritur e bënë atë bajraktar i arsimit islam në Ballkan, aq sa numri i të diplomuarve prej saj arrin 2000 prej të cilëve 600 vajza, bile pas hapjes së njëpasnjëshme të paraleleve të saja të shtrira për vajza fillimisht në Tetovë, pastaj në Shkup dhe Gostivar,  bashkë me atë të djemve në Shtip,  si dhe Qendrën që numëron afër 750 nxënës, të cilët që të rregullt ndjekin mësimin dhe rreth 300 të tjerë me korrespodencë.